STOP – EMISIONI 85 (SEZONI 2)

Kopshti Brar 3 muaj pa edukatore.
Në fillim të muajit tetor emisioni “Stop” trajtoi problemin e mungesës së një edukatoreje në kopshtin e fshatit Brar. Pas gati 3 muajsh situata nuk ka ndryshuar. Prindër e gjyshër detyrohen të bëjnë vetë edhe rolin e edukatorit. Drejtoresha e DAR, Englantina Metani thotë, se është në dijeni të rastit të ndjekur nga emisioni “Stop”, por sipas saj, kjo kompetencë i ka kaluar bashkisë së Tiranës.

Skandali te “Myslym Shyri”, i hyn komshijes në ballkon me ndërtim pa leje.
Për ndërtime e riparime pa leje, qoftë edhe brenda shtëpisë mund të ndëshkohesh nga ligji. Po kjo nuk vlen për të gjithë. Ardian Halilaj, sapo bleu apartamentin në rrugën “Myslym Shyri” ndërhyri në ballkonin ekzistues, duke dalë madje edhe në hapësirën e fqinjës. Kjo e fundit, Shpresa Braho, pasi nuk e gjeti të drejtën në zyrat e shtetit, iu drejtua emisionit “Stop”. Ajo thotë, se banori i ri ka vendosur edhe kondicionerët në ballkon, duke i krijuar lagështirë. Sokol Mezini, kryeinspektor i policisë bashkiake pranon, se Halilaj ka shkelur ligjin ndaj është gjobitur me 1 milionë lekë të vjetra dhe detyrimin, për të prishur strukturën e paligjshme.

Për ndërtime e riparime pa leje, qoftë edhe brenda shtëpisë mund të ndëshkohesh nga ligji. Madje në disa raste, përfundon në burg edhe duke ndërtuar me leje.

Emisioni investigativ “STOP” solli në vëmendje rastin e familjes Ceku në Bregun e Lumit, që ndonëse kishte një leje për të rikonstruktuar një pjesë të shtëpisë, sapo nisën punimet INUK dhe efektivët e policisë ndërhynë duke i ndaluar ato menjëherë dhe madje arrestuan djalin e shtëpisë, i cili u mbajt padrejtësisht për 3 ditë në burg.

Po kjo nuk vlen për të gjithë…

I tillë është rasti i Ardian Halilaj, i cili sapo bleu apartamentin në rrugën “Myslym Shyri” ndërhyri në ballkonin ekzistues, duke dalë madje edhe në hapësirën e fqinjes.

Kjo e fundit, Shpresa Braho pasi nuk e gjeti të drejtën në zyrat e shtetit, iu drejtua emisionit investigativ “STOP”. Ajo thotë se banori i ri ka vendosur edhe kondicionerët në ballkon, duke i krijuar lagështirë. “Jam banore e këtij pallati dhe jetoj prej 18 vjetësh. Para një viti vjen një banor i ri, që quhet Ardian Halilaj dhe prish strukturën e ballkonit të tij dhe zgjerohet duke u futur në dritaren e shtëpisë time. Përveçse më ka prekur privatësinë time, sepse më vjen në dritare, gjithashtu në murin tim ka vendosur dy kondicionerë duke më përçuar lagështirë. Në momentin që zotëria prishi murin ekzistues të ballkonit të tij dhe e zgjeroi duke e futur brenda edhe dritaren e shtëpisë time, unë njoftova policinë. Ajo për momentin i ndaloi punimet dhe më drejtoi drejt IKMT-së. Kjo e fundit u njoftua, erdhën, por zotëria i vazhdoi punimet i pashqetësuar. Më pas iu drejtova edhe bashkisë me një letër ankuese, e cila më ktheu një përgjigje, që nuk të prek privatësinë tënde. Duke mos gjetur zgjidhje në asnjë zyrë të shtetit iu drejtova emisionit “STOP” për të gjetur një zgjidhje për problemin tim.”

Avokati Roland Xhindi shprehet se ka ndjekur të gjithë procedurën juridike në lidhje me problemin e klientes së tij Shpresa Braho. “Unë nga ana juridike kam ndjekur procedurën duke bërë një ankim në Bashkinë e Tiranës dhe IKMT – së. Përgjigje kemi vetëm nga IKMT – ja, ku sqaron se: Pas konstatimit nuk është konsideruar ndërtim dhe pjesa e kangjellave që është vendosur është një konstrukt i lehtë i bërë për arsye sigurie. Arsyet e sigurisë personi i kishte që në momentin që ka blerë banesën. Jam interesuar përsëri tek IKMT – ja dhe verbalisht më është thënë që kjo çështje ka kaluar për kompetencë tek Policia Bashkiake. Nuk ka kompetencë Policia Bashkiake të ndërhyjë kur ndërtimi ka përfunduar.”

Sokol Mezini, kryeinspektor i Policisë Bashkiake pranon se Halilaj ka shkelur ligjin ndaj është gjobitur me 1 milion lekë të vjetra dhe detyrimin për të prishur strukturën e paligjshme. “Zoti Halilaj ka bërë një shkelje, e cila donte të paktën një leje për të bërë atë veprim që ka bërë. Ka hequr kangjellat mbrojtëse të ballkonit të tij. Ai nuk disponon një letër të tillë dhe janë marrë masa administrative, siç thotë ligji, pra ka marrë një gjobë në vlerën 100 000 lekë të reja. Në rast se ai nuk e rregullon, ligji thotë dyshifin e detyrimit dhe vendosjen siç ka qenë struktura e fasadës. Në rast se përsëri nuk do ta bëj, detyrohemi ne si bashki me shpenzimet tona, por zotëria do të marrë faturën, do ta bëjmë ne për ta kthyer në gjendjen e mëparshme.”

Cirku i Tiranës “u bën cirk” punonjësve e konkurentëve për punë.
Në mes të muajit tetor cirku i Tiranës shpalli konkurimin për 2 vende vakant si akrobatë. Por gjysmë ore para testimit në datën 1 nëntor, u dha njoftimi që vetëm një pozicion ishte i lirë. Tjetri ishte zënë me urdhër të Ministrisë së Kulturës, për të kthyer në punë Fatos Roshin, me pretendimin se ky i fundit kishte fituar cështjen gjyqësore me cirkun. Këtë e pranon edhe drejtori i institucionit Kujtim Duni. Por investigimi i “Stop”nxjerr në pah, se vendimi i gjyqit është për dëmshpërblim, jo kthim në punë…

Të Fundit