Rama: Askush nuk e mendonte se drejtësia e re do ndëshkonte politikanët

Kryeministri Edi Rama deklaroi se deri pak vite më parë, askush nuk e mendonte se figura politike të rangut të lartë, do të ndëshkoheshin nga drejtësia e re pas reformimit të saj.

Deklaratën, Rama e dha këtë të hënë gjatë Konferencës së parë Kombëtare të Anti-Korrupsionit, zhvilluar në sallën e Pallatit të Kongreseve.

Sipas Ramës, drejtësia e re është tërësisht e ndarë nga politika.

”Kush e mendonte deri pak vite më parë, se në këtë vend do ndëshkoheshin nga drejtësia, figura politike të rangut më të lartë. Kush e mendonte në këtë vend, pak vite më parë se do vinte dita vetëm pak vite më pas nga fillimi i reformës në drejtësi që askush nuk do mbetej i paprekshëm dhe anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur në pushtetin vendor, deputetë do merreshin nën hetim dhe do akuzoheshin nga një prokokurori e ndarë nga politika dhe tërësisht e fokusuar tek misioni i saj për të bërë drejtësi”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë ku korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt të tij me të.

Të Fundit