Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka njoftuar një ndryshim në drejtimin e Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka bërë të ditur se Arjola Byzyka do të marrë drejtimin e kësaj drejtorie, duke zëvendësuar Zhanetën, me të cilën, sipas tij, ka pasur 13 vite bashkëpunim.
Në reagimin e tij, Veliaj ka falënderuar drejtuesen që largohet për kontributin e dhënë ndër vite, ndërsa për pasuesen e saj ka ndarë disa vlerësime, duke e cilësuar si profesioniste, aktiviste të përkushtuar dhe një nënë të dashur.
Krahas ndryshimit në drejtimin e drejtorisë, Veliaj ka bërë edhe një njoftim që prek drejtpërdrejt familjet e Tiranës. Sipas tij, nga viti 2027, çerdhet dhe kopshtet do të ofrohen falas.
Kryebashkiaku e ka cilësuar këtë si një hap në mbështetje të prindërve dhe për krijimin e më shumë mundësive për fëmijët.
Megjithatë, në postimin e tij nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi mënyrën se si do të zbatohet kjo nismë, cilat kategori do të përfitojnë dhe nëse falas do të jenë të gjitha shërbimet që ofrohen në çerdhe dhe kopshte.
Njoftimi për shërbimin falas nga viti 2027 vjen së bashku me prezantimin e drejtueses së re të institucionit që administron këto struktura në kryeqytet.
Postimi i plotë:
Pas 13 vitesh bashkëpunimi me Zhanetën dhe me mirënjohje për kontributin e saj në drejtimin e Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve, Arjola Byzyka merr sot drejtimin e kësaj drejtorie, duke vijuar punën e nisur ndër vite.
Një nënë e dashur, profesioniste, aktiviste e palodhur dhe e përkushtuar në çdo detyrë që i ngarkohet.
Këtij ndryshimi i bashkohet edhe një lajm i bukur për të gjitha familjet: Nga viti 2027, çerdhet dhe kopshtet do të jenë falas!
Një tjetër hap i rëndësishëm në mbështetje të prindërve dhe në krijimin e më shumë mundësive për fëmijët tanë.