Zoran Zaev: S’e duam anëtarësimin në BE nëse heqim dorë nga gjuha dhe identiteti maqedonas

Mosmarrëveshjet me Bullgarinë po mbajnë peng nisjen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.

Kryeministri Zoran Zaev ka refuzuar që për hir të BE të heqë dorë nga gjuha dhe identiteti maqedonas.

“Bashkimi Evropian nuk na duhet nëse çmimi për këtë të është heqja dorë nga gjuha dhe identiteti maqedonas, pasi do të bëhemi si pluhuri i zhdukur në ajër dhe s’do të ketë kush të hyjë në Bashkimin Evropian,” – tha Zaev.

Maqedonia e Veriut, u shpreh kryeministri Zaev, kërkon ndihmën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për heqjen e bllokadës bullgare dhe nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Por, në anën tjetër, kryeministri maqedonas theksoi përkushtimin për vazhdimin e negociatave me Sofjen për kapërcimin e mosmarrëveshjeve bazuar në vlerat evropiane.

“Edhe pse  Bullgaria do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, unë shpresoj se do të mund të arrijmë një marrëveshje me qeverinë e përkohshme të ekspertëve. Ne kemi arritur edhe marrëveshje tjera të mëdha, duke mbrojtur veçoritë tona kombëtare, pasi kemi të bëjmë të drejtën e vetë përcaktimit. Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje që do të përcaktonte identitetin apo gjuhën tonë. Kjo është në kundërshtim edhe me parimet dhe vlerat evropiane,” – deklaroi Zaev.

Bullgaria, në nëntor të vitit 2020, ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke e kushtëzuar me arritjen e marrëveshjes në lidhje me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas pas vitit 1945, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti, para kësaj periudhe, kanë pasur “rrënjë bullgare”.

 

Të Fundit