Taulant Balla: Politikanët nuk kanë më punë me emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit se Reforma në Drejtësi ka mundësuar që politikanët të mos ndërhyjnë në emërimin e anëtarëve në sistemin gjyqësor dhe atij të prokurorisë.

“Ajo që kemi garantuar është heqja dorë nga sëmundja 30 vjeçare ku emërtesën në sistem të magjistratëve të mos ta këtë më politika. Deri në vitin 2016, anëtari i një gjykate apo një prokuror emërohej me propozim të prokurorit të përgjithshëm apo të këshillit të lartë të drejtësisë ku këshilltari i drejtësisë ishte presidenti. Anëtarët e gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese votoheshin këtu në këtë kuvend. Ka pasur këtu në Kuvend dekrete të Presidentëve të ndryshëm, edhe të zotit Topi, edhe të zotit Moisiu që mazhorancës së asaj kohe nuk i pëlqente dekreti, nuk votohej anëtari i gjykatës. Madje idiotësia institucionale shkonte në pikën që nuk hynte për votim dekreti edhe pse dekreti ka një afat kohor. Sikurse po aq e papranueshme ishte dhe qasja tjetër që Presidentit nuk i pëlqeu renditja e KED, ishte i detyruar të zgjidhte një nga 3 të parët dhe mori të katërtin. Ligji është i thjeshtë. Në këtë këndvështrim mendoj që kemi bërë gjënë e mirë dhe të duhur që ne politikanët nuk kemi më punë me emërimin e anëtarëve të sistemit gjyqësor apo atij të prokurorisë në këtë vend”, tha Balla.

Balla nxiti juristët që të aplikojnë për vakancat e shpallura nga Gjykata e Lartë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

“Natyrshëm, Kuvendi duhet të mbështesë formësimin e institucioneve të reja. Apeli im publik për gjithë ata juristë shqiptarë që kanë 15 vjet eksperiencë profesionale të aplikojnë në vakancat e shpallura nga Gjykata e Lartë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Janë 3 vakanca që nëse aplikantët do të aplikojnë në kohë dhe vettingut që KED do të bëjë ne do të kemi mundësi që Gjykata jonë Kushtetuese të jetë me 9 anëtarë në kohën e duhur. Kemi parë vendime para Gjykatës Kushtetuese. Besoj se ishte shterues vendimi që Presidenti nuk mund të dalë mbi Kuvendin ku vjen puna tek dekretimi i ministrave”, tha ai.

Ndërsa në fund ai tha se, “Besoj se leksioni i sekretarit Blinken përkundrejt gjithë atyre që kanë bërë përpjekje për të penguar Reformën në Drejtësi është një leksion që mendjen në kokë duhet ta ketë secili të potë që partnerët e Shqipërisë, SHBA dhe BE janë pikë së pari aleatë të Shqipërisë dhe shqiptarëve”./tvklan.al

Të Fundit