STOP-EMISIONI 39(Sezoni 12) 2 Nentor 2026- Gabimi ne testament con ne rrembimin e prones, nusja behet vajze, kunata merr shtepine

Luiza Zavalani i drejtohet emisionit “Stop”, duke denoncuar noteren Denada Kodra në Korçë, pasi pretendon, se përmes një akti trashëgimie të hartuar me të dhëna të pasakta, i është marrë pjesa takuese e shtëpisë së prindërve. Luiza tregon, se nëna e saj, përmes një testamenti të mëparshëm, i kishte lënë asaj pjesën e saj të pronës, pasi Luiza kishte qenë e vetmja vajzë e familjes dhe kishte jetuar për vite me radhë në emigracion në Greqi.Pas vdekjes së vëllait të Luizës, kunata e saj, sipas denoncimit, ka përfituar për të marrë nënën 90-vjeçare, e cila ishte e sëmurë, dhe për të hartuar një testament të ri. Dokumenti është përpiluar te noterja Denada Kodra, me një lapsus me pasoja të rënda: kunata figuron si vajza e të moshuarës dhe jo si nusja e familjes. Gjithashtu, në aktin noterial nuk rezulton të jetë përfshirë një dokument mjekësor, që të vërtetonte aftësinë e të moshuarës, për të kuptuar dhe firmosur testamentin.Kur “Stop” shkon në zyrën e noteres, për të kërkuar shpjegime, ajo pranon, se bëhet fjalë për një lapsus në dokument, ndërsa për mungesën e dokumentacionit mjekësor, kërkon, që përgjigjja të bëhet përmes një kërkese me shkrim.Sipas Luizës, ky testament i ka hapur rrugën kunatës të përfitojë dy pjesë takuese të apartamentit: një përmes testamentit dhe një tjetër nga bashkëshorti i saj, vëllai i Luizës. Më pas, çështja është çuar në gjykatë, ku kunata ka përfituar pronësinë mbi apartamentin, ndërsa më vonë ia ka shitur atë një kushëriri të familjes.

Kryeministri Edi Rama publikoi një bisedë me Diellën, asistenten virtuale, e cila tashmë komunikon me qytetarët jo vetëm me shkrim, por edhe me zë dhe video. Qytetarët mund ta pyesin për çështje të përditshme, nga pensioni, që përfitojnë, regjistrimi te mjeku i familjes, deri te procedurat, që duhet të ndjekin kur humbasin pasaportën.

Në redaksinë e emisionit “Stop” mbërrijnë video dhe ankesa nga pensionistët, të cilët denoncojnë mungesën e aboneve falas të transportit publik në pikat e shpërndarjes në Tiranë, që në datën 2 të muajit, kur nis edhe tërheqja e tyre. Emisioni kryen një vëzhgim në terren dhe konstaton, se ankesat janë të vërteta: pensionistët nuk arrijnë të pajisen me abonetë, pasi ato kanë përfunduar në pikat e shpërndarjes.Pas ndërhyrjes së “Stop”, reagon Bashkia e Tiranës, e cila sqaron, se çdo muaj vë në dispozicion 42 mijë abone falas për pensionistët dhe se këtë herë, për herë të parë, është tërhequr e gjithë sasia e parashikuar. Bashkia pranon kërkesën e shtuar dhe premton, se nga muaji i ardhshëm do të rrisë numrin e aboneve, duke marrë masa, që pikat e shpërndarjes të kenë sasi të mjaftueshme për të gjithë pensionistët përfitues.

Të Fundit