Më 28 korrik 2026, një foshnjë vetëm 1 vjeç e gjysmë dhe e ëma, u përfshinë në një aksident në unazën e Korçës. Babai i fëmijës akuzon mjekun e Maliqit, Petrika Kacori, se i ka përplasur familjarët me automjet, duke kaluar në vijat e bardha. Ne kemi siguruar pamjet e një kamere sigurie pranë vendit të ngjarjes, që tregojnë momentin e përplasjes. Familja ngre pikëpyetje mbi mënyrën, se si është hetuar çështja nga policia dhe prokuroria. Sipas babait, të nesërmen e aksidentit, djali i mjekut, së bashku me një punonjës policie, ka kontaktuar bizneset pranë vendit të ngjarjes dhe u ka kërkuar të mos japin pamjet e kamerave. Mjeku i Maliqit Petrika Kacori, pretendon, se nëna dhe foshnja i kanë dalë përpara automjetit jashtë vijave të bardha. Edhe pasi i vemë në dispozicion pamjet filmike, ai vijon ta kundërshtojë këtë version.Kacori thotë, se pas aksidentit ka qëndruar vetëm dy ditë në arrest, ndërsa më pas gjykata i ka caktuar masën “detyrim për paraqitje”. Familja e të aksidetuarve kërkon, që pamjet filmike dhe të gjitha provat e çështjes, të administrohen dhe të hetohen.Ndërkohë, pasojat për foshnjën kanë qenë serioze. Fillimisht e mitura u trajtua në Spitalin e Korçës, më pas u transportua në Spitalin e Traumës, ku qëndroi rreth një javë. Sipas babait, fëmija ka pësuar fraktura dhe, sipas mjekëve në Gjermani, edhe dëmtime në kafkë. Familja, që jeton në Gjermani, ka vijuar atje trajtimin e vajzës.
Vlora Hyseni, drejtuesja e SHISH, u dorëzua dje, pas kthimit nga Baku, ku mori pjesë në një konferencë ndërkombtare dhe pasi GJKOO i dha masën “pezullim” dhe “arrest shtëpie”, në kuadër të një hetimi të SPAK. Kryeministri Edi Rama reagoi nga Nju Jorku, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe njoftoi largimin e saj të menjëhershëm nga drejtimi i SHISH. Ai kërkoi ndjesë për reagimin e vonuar nga përtej oqeanit.Në mënyrë të përsëritur Rama ka deklaruar, se fle i fundit e zgjohet i pari, por mesa duket, ngjarja e ka “kapur gafil”, në ato pak orët e gjumit në SHBA.
Në fshatin Fisili të Vlorës, familja Rustemaj kishte ndërtuar shtëpinë dykatëshe rreth vitit 2001 dhe e kishte vetëdeklaruar për legalizim në 2014. Për vite me radhë, familja kishte kërkuar zgjidhje pranë Kadastrës së Vlorës, por përgjigjja ishte, se duhej të vazhdonin të prisnin. Sipas familjes, gjatë azhornimit të zonës, ndërtesa nuk ishte evidentuar.Miranda Rustemaj tregon, se bashkëshorti i saj, Fatmiri, vuan nga një sëmundje e rëndë dhe ndodhet për trajtim në Gjermani. Ndërkohë, gjendja e shtëpisë është përkeqësuar, veçanërisht në pjesën e sipërme. Pas ndërhyrjes së “Stop”, rasti iu përcoll strukturave qendrore, të cilat morën në konsideratë edhe gjendjen shëndetësore të kryefamiljarit. U dërgua një grup pune dhe në përfundim u prodhua vendimi i legalizimit.Pas rreth 25 vitesh pritje, familja Rustemaj mori zgjidhjen brenda vetëm 20 ditësh nga ndërhyrja e “Stop”.



