STOP-EMISIONI 12(Sezoni 12) 22 Shtator 2026-15-vjeçari dhunohet brutalisht per 100 leke, 4 persona e rrembejne dhe e cojne ne bregdet

Një 15-vjeçar është përballur me dhunë fizike dhe psikologjike nga katër persona të rritur në zonën e Plazhit në Durrës. Sipas denoncimit të babait, gjithçka nisi pas një konflikti për 100 lekë të reja, pasi pronari i një biznesi me lodra argëtuese për fëmijë, vajza, djali dhe dhëndri i tij dyshonin, se minoreni kishte marrë 100 lekë nga një prej lojërave.Pasi e kanë identifikuar nga kamerat e sigurisë, katër personat e kanë ndaluar 15-vjeçarin në shëtitore dhe e kanë cuar me forcë në breg të detit, ku për rreth 30 minuta kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. “Stop” tentoi të merrte versionin e administratorit të biznesit, Ilir Kadrimi, por ai iu shmang kamerës së emisionit. Ndërkohë, 15-vjeçari, viktimë e dhunës, rrëfen me detaje ngjarjen e mbrëmjes së qershorit. Sipas denoncuesit, Policia e Durrësit nuk e trajtoi me seriozitetin e duhur rastin, ndërsa nga katër personat e përfshirë, vetëm dy, janë proceduar.Një tjetër problematikë lidhet me kamerat e sigurisë, të cilat, janë marrë tre ditë pas ngjarjes. Po ashtu, dëshmia e minorenit është marrë pa praninë e psikologut. Prokurorja Albiona Papajani, në një komunikim telefonik, thotë, se masat lehtësuese ndaj dy të akuzuarve janë vendosur nga gjykata, ndërsa procedimin e vetëm dy prej katër personave, ia atribuon Policisë së Durrësit, e cila ka referuar në Prokurori materialet vetëm për dy persona.

Me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, së bashku me pezullimin nga detyra. Sipas raportimeve të publikuara gjatë ditës, hetimi lidhet me një fraksion të dosjes së AKSHI-t. Masa ndaj Hysenit, mësohet, se nuk është ekzekutuar menjëherë, pasi ajo ndodhet në Baku, Azerbajxhan për një konferencë. Po gjatë mëngjesit të sotëm, SPAK dhe BKH kanë zhvilluar kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me vendim të GJKKO-së.

Vite më parë, “Stop” publikoi disa raste, që ngrinin pikëpyetje mbi mënyrën e ushtrimit të detyrës nga gjyqtarja e Gjirokastrës Suela Dashi. Në atë kohë nuk pati një reagim konkret nga institucionet e sistemit gjyqësor ndaj problematikave të denoncuara.Ndërkohë, pas disa vitesh, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar një hetim disiplinor ndaj Dashit. Hetimi ka konstatuar, ndër të tjera, mungesa të pajustifikuara në detyrë, mosparaqitje të kërkesës për heqje dorë nga një çështje, kur kjo ishte e detyrueshme, si dhe mosrespektim ose zbatim të gabuar të vendimeve të gjykatave më të larta. Për këto shkelje, ILD i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor uljen e pagës me 40%, Për gjyqtaren Suela Dashi për një periudhë jo më të gjatë se një vit. Vendimi përfundimtar i takon KLGJ-së.

Të Fundit