Rajmonda Doko, një grua nga Maliqi, përveç problemeve të shëndetit mendor, po përballet edhe me një tumor në gji, që, sipas familjarëve, i është përkeqësuar, shkak të vonesave në trajtim.Sipas motrës së saj, Irini Doko, gjithçka ka nisur me shfaqjen e një gjendre në gjoks. Familjarët thonë, se kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Maliq dhe më pas në Korçë, por referimi i pacientes drejt Tiranës, është vonuar.Për pasojë, plaga është zgjeruar dhe në të është konstatuar edhe prania e krimbave. Elvion Doko, nipi i pacientes, akuzon zinxhirin e mjekëve, duke pretenduar, se nëse do të ishte ndërhyrë në kohë, situata mund të ishte parandaluar. Rajmonda Doko ka përfunduar e shtruar në një spital psikiatrik në Elbasan. Por vetë mjeku psikiatër, thotë, se pacientja nuk duhej të ishte shtruar aty, si vendi kryesor i trajtimit.Ai shpjegon, se Rajmonda ka nevojë për asistencë të vazhdueshme, por psikiatria nuk është strukturë onkologjike dhe nuk ka pavijon për pacientë të shtruar për sëmundje tumorale.Nga ana tjetër, mjekja onkologe në Elbasan shprehet, se gjendja e Rajmondës është tashmë shumë e rënduar dhe aktualisht nuk ka kirurg, që ta marrë përsipër operacionin. Në këtë fazë, Rajmonda po merr antibiotikë, mjekim për plagën dhe serum me vitamina. Emisioni “Stop” tentoi të kontaktojë edhe mjekët e Spitalit Onkologjik në Tiranë. Bledi Kreka, mjeku, që e ka kuruar, kërkon të shohë kartelën e pacientes, për të dhënë informacion, ndërsa familjarët nuk e kanë në dispozicion këtë dokument.
Një situatë e pazakontë është regjistruar në Rusi, ku një robot i ekspozuar për publikun, ka reaguar në mënyrë të papritur, pasi një klient e ka shtyrë. Në pamjet e bëra publike, roboti duket, se humbet ekuilibrin, por më pas reagon, duke goditur me grushte dhe shkelma, personin, që e shtyu. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen për reagimin e pazakontë të robotit, duke e kthyer videon shumë shpejt në virale.
Në Korçë, një qytetar pretendon, se është përballur me një situatë të pazakontë mes Policisë së Rendit dhe Policisë Rrugore. Anesti Tomorri u ndalua, pasi kishte parkuar në vend të gabuar. Sipas tij, efektivët e Policisë së Rendit e gjobitën dhe, pasi nuk kishte patentën me vete, e shoqëruan në komisariat me Forcat “Shqiponja”, pa e verifikuar fillimisht situatën me Policinë Rrugore.Edhe pse patenta iu soll më pas nga i vëllai, ajo nuk u mor në konsideratë. Anesti u mbajt rreth 10 orë në komisariat, ndërsa iu bllokua automjeti dhe iu hoqën pikë nga patenta. Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, automjeti u lirua dhe rasti u bë objekt verifikimi. Ndërkohë, Prokuroria e Korçës vendosi pushimin e çështjes, duke mos gjetur fakte, se qytetari kishte kundërshtuar forcat e policisë.Tashmë Anesti Tomorri kërkon një zgjidhje të plotë edhe për masën administrative për patentën, duke iu drejtuar Policisë Rrugore, që të rishikojë vendimin, pasi pretendon, se është penalizuar padrejtësisht.



