Shkarkimi i Metës, Taulant Balla: Presidentin e ri do e zgjedhim në bashkëpunim me opozitën.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Tualant Balla, tha në fund të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve se është rënë dakord që Kuvendi të mblidhet ditën e mërkurë, më 9 qershor, për të shqyrtuar dhe votuar shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Jemi njohur me raportin e paraqitur nga Komisioni Hetimor për verifikimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga presidenti. Është një raport shumë konsistent, prej rreth 100 faqesh, dhe që natyrshëm deputetët do të marrin kohën e duhur për ta shqyrtuar. Në këtë këndvështrim, kemi rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve që seanca plenare për shqyrtimin dhe votimin e raportit për shkarkimin e Presidentit të zhvillohet më 9 qershor, ora 10:00. Kemi dakordësuar kohën me kryetarët e grupeve të tjera parlamentare. Kujtoj se është Kushtetua ajo që përcakton mënyrën e zhvillimit të kësaj seance”, tha Balla.I pyetur se sa besim ka te Gjykata Kushtetuese, e cila do të japë verdiktin final lidhur me shkarkimin ose jo të Metës, numri dy i PS deklaroi se “Kjo nuk ka të bëjë me mua, as me institucionin e kuvendit. Kushtetuta është shumë e qartë që Kuvendi e përfundon procedurën e tij më 9 qershor dhe pas kësaj date është një institucion tjetër, si Gjykata Kushtetuese, që do të vlerësojë nëse shkeljet e konstatuara nga ana jonë janë shkelje të rënda kushtetuese, që hyjnë në parashikimet e nenit përkatës për shkarkimin e Presidentit. Nuk do të bëj asnjë koment, deri në momentin që do të shprehet Gjykata Kushtetuese. Na është dashur shumë punë që të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale.

Edhe vendimi për përplasjen Rama-Meta ishte shumë i qartë dhe sqaroi situatën. Vendimi sqaroi se në këtë ndërthurje institucionale është Kuvendi ai që duhet të shprehet për dekretet. Pra, është e drejtë ekskluzive e kryeministrit të propozojë, President mund të verifikojë, por në fund vendos Kuvendi me votë. Duhet të mësohemi që vendimet e gjykatave janë vendime të formës së prerë dhe ato nuk interpretohen nga politikanët”.

Nëse shkarkohet Meta, keni emër gati?

Kryetari Rama ka qenë shumë i qartë. Ajo që është e nevojshme dhe që duhet të kuptojmë është se PS nuk e ka nisur procedurën e shkarkimit të Presidentit aktual si nevojë për të pasur një përfaqësues të vetin në institucionin e presidencës, por iniciativa për shkarkim ka ardhur si nevojë për të çliruar presidencën nga një pengmarrje. Procedura për zgjedhjet e presidentit të ri do kërkojë kohën e vet, dhe pse jo të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën e re, që do të rikthehet në Kuvend më 9 shtator. Me opozitën e legjislaturës së re do të kemi mundësi që këto çështje t’i adresojmë së bashku.

Të Fundit