Qëndronin ilegalisht në Angli dhe Francë, mbërrijnë 2 “chartera” në Rinas, riatdhesohen 72 shqiptarë

Gjatë 2 ditëve të fundit në vendin tonë janë riatdhesuar 72 shtetas shqiptarë të cilët qëndronin ilegalisht në Francë edhe Angli, apo që e kanë përfunduar kryerjen e dënimit, për vepra të ndryshme penale, në këto shtete.

Në kuadër të operacionit për riatdhesimin e shtetasve në Rinas kanë mbërritur 2 chartera.

Në charter-in e parë që mbërriti nga Anglia, ndodheshin 24 shtetas shqiptarë, nga të cilët 21 shtetas shqiptarë që e kanë përfunduar vuajtjen e dënimit në territorin britanik, për vepra të ndryshme penale të kryera atje dhe 3 shtetas të tjerë, për qëndrim të parregullt në Angli. Këta shtetas, pasi iu nënshtruan procedurave të intervistimit dhe verifikimit, u lanë të lirë.

Ndërsa në charter-in e dytë që mbërriti nga Franca, ndodheshin 48 shtetas shqiptarë, të cilët ishin me qëndrim të parregullt ne territorin francez, disa prej tyre janë kapur në tentativë për të shkuar në Angli, dhe të tjerët janë shtetas që e kanë përfunduar vuajtjen e dënimit, për vepra te ndryshme penale të kryera në Francë.

4 prej shtetasve të kthyer “Deportiv” nga Franca, në përfundim të hetimeve, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Operacionet e riatdhesimit do të vijojnë edhe në javët e ardhshme.

Të Fundit