“Po na cenohet identiteti”, qytetarët në RMV në protestë

Kristijan Benito, protestues nga Maqedonia e Veriut, që 4 ditë me radhë fle nën qiell të hapur duke kërkuar nga qeveria që të refuzojë propozimin francez.

“Fle nën qiell të hapur sepse identiteti im është maqedonas, dhe gjuha ime maqedonase”, u shpreh protestuesi Kristijan Benito. Benito frikësohet se gjuha dhe identiteti i tij do të cenohen nga fqinji bullgar.

“Nuk lejoj që të asimilohemi si popull. Paraardhësit e tanë kanë pasur luftën e tyre ndërsa gjenerata jonë e ka këtë luftë. Asgjë nuk është e tepërt kur ke idealin”, u shpreh ai më tej.

Tashmë katër ditë me radhë protestues të shumtë, të udhëhequr nga partia opozitare VMRO-DPMNE i kërkojnë qeverisë që të refuzojë propozimi francez.

Ata gjithashtu thonë që qeveria mos i nënshtrohet kërkesave bullgare me të cilat dyshojnë se cenohet gjuha dhe identiteti maqedonas dhe hapet rruga për siç thonë, bullgarizim librash dhe heronjsh kombëtar.

“Menjëherë të japin dorëheqje, të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të vijë një Qeveri me ndjenja maqedonase që do sjellë shtetin në situatën e mëparshme të pavarur”, tha një qytetar.

“Kjo qeveri nuk ka legjitimitet dhe duhet të shkojë. Kush i autorizoi që të negociojnë në emrin tonë për këto gjëra”, u shpreh një tjetër.

Protestat e udhëhequra nga VMRO DPMNE kanë filluar që prej javës së kaluar, kur në adresë të Maqedonisë së Veriut erdhi dokumenti zyrtar i propozimit francez, për të cilin qeveria dhe presidenti pohojnë se ruan gjuhën dhe identitetin maqedonas ndërsa opozita maqedonase vlerëson të kundërtën.

Të Fundit