PD kundër Reformës Territoriale në kalendarin parlamentar, Bardhi: Të vijojë konsultimi publik

Partia Demokratike kundërshton përfshirjen e Reformës Territoriale në projektkalendarin parlamentar. Në Konferencën e Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi që projektligji të mos kalojë për diskutim në komisione, për sa kohë vijon procesi i konsultimit publik.

Sipas tij një reformë e tillë, nuk mund të miratohet pa konsensusin e opozitës.

“Partia Demokratike është kundër këtij kalendari që keni paraqitur. Ju keni përfshirë për diskutim projektligjin për Reformën Territoriale. Kjo është një çështje e papranueshme për shumë faktorë. Së pari, nuk mund të kaloni një reformë kaq të rëndësishme pa konsensusin e opozitës. Gjithashtu, ju zhvilluat një proces tallës me shqiptarët. Ngritët një komision, ndërkohë që ndarjen e kishit në tavolinë dhe e kishit të gatshme”, u shpreh Bardhi.

Kreu i grupit të PD theksoi se përfshirja e projektligjit në kalendar, ndërkohë që vijon konsultimi publik, përbën sipas tij shkelje të Kushtetutës.

“Sot e sillni këtë çështje këtu, të përfshirë në kalendar. Edhe ajo që po bëni sot është një tallje dhe shkelje e Kushtetutës, pasi aktualisht ka një proces konsultimi publik, ndërsa ju parashikoni diskutimin e projektligjit në komisione”, tha Bardhi.

Të Fundit