Në Korçë, një qytetar pretendon, se është përballur me një situatë të pazakontë mes Policisë së Rendit dhe Policisë Rrugore. Anesti Tomorri u ndalua, pasi kishte parkuar në vend të gabuar. Sipas tij, efektivët e Policisë së Rendit e gjobitën dhe, pasi nuk kishte patentën me vete, e shoqëruan në komisariat me Forcat “Shqiponja”, pa e verifikuar fillimisht situatën me Policinë Rrugore.Edhe pse patenta iu soll më pas nga i vëllai, ajo nuk u mor në konsideratë. Anesti u mbajt rreth 10 orë në komisariat, ndërsa iu bllokua automjeti dhe iu hoqën pikë nga patenta. Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, automjeti u lirua dhe rasti u bë objekt verifikimi. Ndërkohë, Prokuroria e Korçës vendosi pushimin e çështjes, duke mos gjetur fakte, se qytetari kishte kundërshtuar forcat e policisë.Tashmë Anesti Tomorri kërkon një zgjidhje të plotë edhe për masën administrative për patentën, duke iu drejtuar Policisë Rrugore, që të rishikojë vendimin, pasi pretendon, se është penalizuar padrejtësisht.




