Kreu i SPAK, Arben Kraja: Personat “non grata” nën hetim vetëm me dosje nga SHBA-të – Stop
Lajme, Të Gjitha

Kreu i SPAK, Arben Kraja: Personat “non grata” nën hetim vetëm me dosje nga SHBA-të

Kreu i SPAK Arben Kraja, është duke raportuar në Kuvend për punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit të fundit.

Ai ka thënë se për çdo person që do të vijë indicje nga ndërkombëtar, në Shqipëri do të ketë procedim penal dhe hetim pasuror, teksa u pyet nga deputeti Ralf Gjoni për shqiptarët e shpallur “non grata”.

Kreu i SPAK-ut në përgjigjen e tij, theksoi se çfarëdolloj informacioni të vijë në SPAK nga SHBA-ja do të hetohet. Sipas tij, lista është një proces që ndodh në SHBA, por çdo indicie, apo material që do të vihet në dispozicion, në raport me çdo shtetas shqiptar, do të hetohet deri në fund.

“Lista është një proces që ndodh në SHBA. Ne kemi procedurat tona për procedimin penal dhe ndjekjen penale. Une ju garantoj se çdo indicje që do vijë, për kompetencat që ne kemi, jemi të vendosur për ta vijuar hetimin deri në fund. Nga ana e procedimit penal dhe nga ana e hetimit financiar”, tha Kraja.

I pyetur për rezultatet, Arben Kraja tha se SPAK ka pasur dhe dosje që s’kanë lidhje me punën e prokurorët e posaçëm.

“Jemi fokusuar dhe kemi punuar me përparësi me prioritetet që ka shoqëria. Kemi bashkëpunuar me të gjithë, edhe me faktorin ndërkombëtar. Kemi vendos marrëdhënie për shkëmbim informacionesh, por dhe marrëdhënie reciproke, si ndihma reciproke, të ardhura dhe pajisje.

Rezultate ka pasur. Pastaj varet se çfarë quani ju rezultate dhe çfarë dikush tjetër. Ne përballemi me dosje që s’janë fare puna jonë. Këto i zbehin pritshmëritë ndaj nesh”, ka thënë ndër të tjera Kraja.

Sipas Krajës deri më tani janë ekzekutuar 391 autorizime të prokurorit për lejim përgjimi. Ndërkohë që sipas tij gjatë vitit 2020 për veprat penale nën hetim nga prokuroria e posaçme janë interceptuar 1175 subjekte përgjimi apo autorë që kanë dijeni për  vepra penale.

Ndërkohë në lidhje me bashkëpunimin me forcat ndërkombëtare për luftën ndaj korrupsionit ai ka bërë me dije se është rritur kjo marrëdhënie dhe deri më tani janë trajtuar 69 kërkesa.

Një fushë tjetër ka qenë edhe bashkëpunimi ndërkombëtar dhe hetimet e përbashkëta. Gjatë 2020 janë trajtuar 69 kërkesa për ndihmë juridike të paraqitura nga autoritetet e huaja. 49 nga këto kanë qenë kërkesa të reja dhe pjesa tjetër e mbartur. Kjo tregon se institucionet ndërkombëtare kanë besim tek ne. Nga këto janë ekzekutuar 39 prej tyre dhe pjesa tjetër është mbartur për në vitin 2021”, është shprehur  ai.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *