Kreu i SHISH mesazh Agasit: Zemër duhet të koncentrohemi te halli jot, do të përfunojmë keq! Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt

Janë bërë publike komunikimet e vazhdueshme përmes celularit mes ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hysenit, dhe biznesmenit Ergys Agasi, i cili u arrestua në fund të muajit gusht.

Nga mesazhet e publikuara, të shkëputura nga dosja hetimore e SPAK, duket se raporti mes tyre ka shkuar përtej një marrëdhënieje thjesht profesionale. Përmbajtja e komunikimeve ka ngritur dyshime edhe për ekzistencën e një marrëdhënieje sentimentale mes tyre.

Në një prej mesazheve, Vlora Hyseni i shkruan Agasit: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”.

Ndërsa vetëm katër ditë përpara arrestimit të tij, Hyseni i dërgon një tjetër mesazh biznesmenit: “Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt… do ia hedhim… problemi është koha.”

Më 18 shtator, Vlora Hyseni është marrë në pyetje nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes. Në atë kohë, kërkesa e SPAK për caktimin e masës së sigurisë ndaj saj ndodhej prej rreth pesë ditësh në pritje të vendimit nga Gjykata e Posaçme.

Sipas burimeve të referuara në dosjen hetimore, Hyseni ka pranuar se ka komunikuar me Ergys Agasin gjatë periudhës kur ai ishte në kërkim, por ka mohuar se e ka takuar personalisht.

Ish-drejtuesja e SHISH ka deklaruar se kontaktet me Agasin kanë qenë pjesë e marrëdhënies së saj profesionale, në funksion të detyrës që ka mbajtur në Shërbimin Informativ të Shtetit. Ajo ka pretenduar gjithashtu se kontakte të tilla ka pasur edhe me persona të tjerë që kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimit.

Ky version, megjithatë, sipas organit të akuzës, nuk përputhet me provat e mbledhura gjatë hetimit.

Një nga elementet e përmendura në dosje lidhet me automjetin e sekuestruar të Ergys Agasit në ambientet e “Equos Resort”. Sipas hetuesve, në automjet janë gjetur materiale që dyshohet se i përkisnin Shërbimit Informativ të Shtetit.

SPAK dyshohet se disponon edhe pamje filmike të takimeve dhe kontakteve mes Hysenit dhe Agasit. Sipas organit të akuzës, këto pamje bien ndesh me pretendimin e Hysenit se komunikimet me biznesmenin kanë qenë vetëm telefonike dhe të lidhura me aktivitetin e saj profesional si bashkëpunëtore e shërbimit.

Hetimi ka përfshirë edhe periudhën gjatë së cilës Ergys Agasi ishte në kërkim në kuadër të dosjes së AKSHI-t. Të dhënat e përfshira në dosje tregojnë se Agasi ka qëndruar për një periudhë pranë vilave qeveritare në Durrës dhe dyshohet se është ndihmuar për t’iu shmangur arrestimit.

Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimit, nuk është konfirmuar nëse Vlora Hyseni ka vënë në dispozicion të Agasit mjete apo pajisje të SHISH-it për ta ndihmuar gjatë kohës që ai ishte në kërkim.

Të Fundit