“Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë”, dalin mesazhet mes Vlora Hysenit dhe Agasit: O shpirt…

Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë”. Kjo është një prej shprehjeve të përdorura nga Vlora Hyseni në komunikimet me Ergys Agasin, sipas pjesës së dosjes hetimore të administruar nga SPAK.

Në të njëjtën bisedë, Hyseni i shkruan Agasit: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”, ndërsa më tej vijon: “Të gjithë ne” dhe “Do përfundojmë keq, shpirt”.

Sipas dosjes, komunikimet mes Hysenit dhe Agasit tregojnë një lidhje personale dhe të vazhdueshme, e cila ka vijuar edhe gjatë periudhës kur Agasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia. Prokuroria i interpreton këto biseda si shprehje të solidarizimit të Hysenit me Agasin dhe si identifikim të saj me interesat e tij përballë procedimit penal.

Në një tjetër komunikim, Hyseni i shkruan Agasit: “O shpirt, kjo është një situatë që do ja hedhim… Problemi është koha… Sa konsistenc kemi…”, ndërsa në një tjetër mesazh shprehet: “Sa sh gjëra na kanë bërë ne… Të gjitha shpirt…”.

Dosja përmend gjithashtu komunikime ku Hyseni i jep Agasit informacion lidhur me takime të saj me zyrtarë të lartë. Në një prej mesazheve ajo i shkruan se duhet të takojë Kryeministrin, ndërsa më herët e informon për një takim me “Skënderin”, të identifikuar në dosje si drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita: “Skënderi me thirri me u taku të hënën… Te shpresojmë që ka porosit km…”.

Në një tjetër komunikim të datës 24 gusht 2026, Hyseni shkruan: “Nesër duhet ta takoj km në 8:30”, ndërsa në vijim ndan me Agasin edhe informacion për një takim me partnerë ndërkombëtarë: “Me doli një takim urgjent… Me sauditët… Kthehem nesër në Ks prapë”.

Sipas dosjes, në komunikimet e administruara përfshihet edhe një mesazh ku Hyseni i dërgon Agasit informacion për Taulant Ballën dhe Belinda Ballukun: “Taulant Balla kryetar kuvendi… Kështu janë infot… Bela me Taon shoku”.

Prokuroria i vlerëson këto komunikime në tërësinë dhe kronologjinë e tyre, duke pretenduar se ato tregojnë jo vetëm një lidhje personale, por edhe gatishmëri nga ana e Hysenit për ta ndihmuar Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim.

 

Të Fundit