Kosova i kërkon Shqipërisë heqjen e përkohshme të tarifës për “Rrugën e Kombit”

Kosova i ka kërkuar Shqipërisë që të heqë përkohësisht tarifën në “Rrugën e Kombit” me qëllim për të lehtësuar barrierat penguese për turistët, që zgjedhin të kalojnë pushimet verore në bregdetin shqiptar.

Kjo kërkesë u bë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë takimit që pati me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi. Ai shtoi se barrierat e vënë në traun e “Rrugës së Kombit” shkaktojnë vonesa të pakëndshme tek turistët.

Diskutuam edhe për hapat që pritet të ndërmerren nga ministritë tona në mënyrë që rruga nga Kosova deri në destinacionin e tyre në Shqipëri dhe anasjelltas të jetë sa më shumë e lehtësuar me sa më pak kontrolle apo barriera. Përfshirë këtu edhe kërkesën tonë që të gjendet një zgjidhje të paktën e përkohshme për eliminimin e detyrimit për të paguar për tunelin në Kalimash për arsye se kjo po shkakton pastaj vonesa për turistët tanë, të cilët shkojnë në Shqipëri, e kjo sidomos shtohet kur kemi të bëjmë me pushime afatshkurtra gjatë fundjavës dhe jashtë sezonit”, u shpreh Bislimi, i cili shtoi se biseda kryesore me ministrin Klosi ishte promovimi i turizmit dhe thellimi i bashkëpunimit mes dy shteteve.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, u shpreh se turizmi është një kontribuues i rëndësishëm për ekonominë dhe buxhetin e të dyja vendeve, ndërsa u zotua se do bëjnë gjithçka, që oferta turistike e përbashkët Kosovë-Shqipëri të jetë një realitet.

“Për të dy qeveritë tona besoj është një vendimmarrje e përbashkët që turizmi nuk është vetëm një kënaqësi, turizmi është një industri shumë e rëndësishme e të dy vendeve tona, por po ashtu është një kontribuues i rëndësishëm në ekonominë dhe në buxhetet e vendeve tona. Prandaj, do të bëjmë gjithçka është e mundur që oferta turistike e përbashkët Shqipëri-Kosovë të jetë një realitet”, tha mes tjerash Klosi.

Të Fundit