Konferenca e Shoqatës së FBI në Tiranë, Braho: Bashkëpunimi ndërkombëtar i domosdoshëm për SPAK

Është zhvilluar mëngjesin e hënës ceremonia e hapjes së Konferencës së 42-të të Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter.

Në aktivitet morën pjesë Ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues të agjencive ligjzbatuese, Presidenti Ndërkombëtar i FBINAA, si dhe Ambasadorja në detyrë, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë.

Në fjalën e tij në konferencë, kreu i SPAK, Klodian Braho, u ndal te rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.

“Për SPAK, bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm. Në Shqipëri kemi bërë përparim në goditjen e krimit të organizuar dhe kemi fituar njohuri mbi mënyrën se si grupet kriminale fshehin dhe lëvizin përfitimet e tyre”, deklaroi Braho.

Ai theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar lidhet edhe me përgjegjësinë për të shkëmbyer informacion dhe ekspertizë mes institucioneve ligjzbatuese.

“Një informacion që gjejmë në Shqipëri mund të ndihmojë një hetim në vendin tuaj. Për këtë arsye, falënderoj FBI-në dhe partnerët ndërkombëtarë për ekspertizën që ndajnë me ne”, u shpreh kreu i SPAK.

Në konferencë marrin pjesë 235 pjesëmarrës, mes tyre përfaqësues të FBI-së dhe punonjës të agjencive të ndryshme ligjzbatuese nga Evropa dhe më gjerë.

Të Fundit