Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në një prej zonave më të frekuentuara dhe të mbikëqyrura të Firences, në apartamentin e Curias në Piazza Duomo, ku jeton kardinali shqiptar Ernest Simoni, 97 vjeç, së bashku me nipin e tij.
Autorët e grabitjes kishin mbërritur të pajisur me mjetet e nevojshme për të çarë murin dhe për të hapur derën e blinduar të banesës dhe për t’u arratisur me një shumë të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë. Sipas mediave italiane, dëmi dhe vjedhja kapin vlerën e rreth 30 mijë eurove. Në mesin e sendeve të marra kishte para cash, objekte ari, disa bizhuteri, medalje dhe një vulë ari.
Në momentin kur ndodhi grabitja, kardinali Simoni nuk ndodhej në Firence. Ai është aktualisht në Londër, ku ka zhvilluar një takim me mbretin Charles.Sipas mediave italiane, as nipi i tij, Tonin, dhe as bashkëshortja e tij nuk ishin në banesë. Ata ishin larguar rreth orës 13:00 dhe u kthyen rreth orës 23:00, kur zbuluan se shtëpia ishte grabitur.
Kur u kthyen në banesë, familjarët gjetën një pjesë të murit të dëmtuar rëndë. Hajdutët kishin përdorur dy daltë, të cilat më pas i kishin lënë në shkallët e pallatit. Ata kishin arritur të hapnin derën e blinduar dhe më pas kishin kontrolluar dollapët, valixhet dhe kasafortat, duke lënë banesën tërësisht rrëmujë. Pavarësisht kohës që duket se është dashur për të çarë murin dhe për të hapur derën e blinduar, askush nuk kishte vënë re asgjë. As fqinji në katin poshtë nuk kishte dëgjuar apo konstatuar diçka të dyshimtë.
“Jemi të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Ndiheshim të sigurt. Mund të prisnim gjithçka, përveç faktit që hajdutët të arrinin të bënin një shkatërrim të tillë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës. Ajo që ka ndodhur është një turp për qytetin”, tha Tonin Simoni. Karabinierët ndërhynë menjëherë pas denoncimit, ndërsa ekspertët kriminalistikë kryen këqyrjen e banesës në kërkim të gjurmëve që mund të çojnë te autorët.
Zona e Piazza Duomo është e pajisur me disa kamera sigurie dhe hetuesit kanë nisur të analizojnë pamjet e regjistruara. “Piazza Duomo është zona më e mbikëqyrur e Firences. Është e pabesueshme që kanë arritur të bëjnë diçka të tillë pikërisht këtu”, u shpreh nipi i kardinalit. “S’kemi fjetur. Kaluam natën duke sistemuar gjithçka dhe më pas qëndrova në një karrige, pasi dera nuk mund të mbyllej”, tregoi ai. Sipas tij, grabitja mund të mos ketë qenë rastësore. “Me siguri, kush e ka bërë një gjë të tillë nuk ka goditur rastësisht. Na kanë mbajtur nën vëzhgim dhe e dinin që nuk ishim në shtëpi”, tha Tonin.
Mes sendeve të vjedhura ka edhe objekte me vlerë të vogël, përfshirë një kabllo të vjetër të një PlayStation-i, që i përkiste periudhës kur fëmijët e Toninit ishin të vegjël. Por një prej sendeve që ka ngritur më shumë pikëpyetje është karta e qëndrimit të kardinalit Ernest Simoni, e cila mbahej në një sirtar. “Vjedhja e këtij dokumenti është mjaft e çuditshme. Përveçse nëse kanë ndërmend ta falsifikojnë”, tha nipi i kardinalit.
Në total, mes parave cash dhe sendeve të arit, disa bizhuteri të bashkëshortes së Toninit, medaljeve dhe një vule ari, vlera e grabitjes llogaritet në rreth 30 mijë euro. Reagimi i parë i kardinalit Ernest Simoni nuk ishte për paratë apo sendet me vlerë, por për statujat fetare që mbahen në dhomën e tij, e cila i ngjan një kapelë të vogël.
“Pyetja e tij e parë ishte nëse hajdutët kishin dëmtuar statujat fetare që ruhen në dhomën e tij. Më pyeti: ‘Statujën e Zonjës së Medjugorjes e kanë lënë? Po statujën e Padre Pios?’”, tregoi Tonin. Kur nipi e siguroi se të gjitha statujat ishin në vend dhe nuk ishin dëmtuar, kardinali u përgjigj: “Atëherë, s’ka ndonjë problem të madh.”



