Fjala e vitit 2021 – dhe jo, nuk është ‘pandemi’

Në janar të vitit 2021, kërkimet në faqen e Fjalorit të Cambridge kapën shifra rekord për fjalët ‘rebelim’, ‘shkarkim’, ‘inaugurim’, dhe ‘shfajësim’ – si pasojë e zgjedhjeve presidenciale që po mbaheshin në SHBA në atë periudhë, që kishin mbërthyer vëmendjen e të gjithë botës.

Sidoqoftë, fjala e vitit 2021 – sipas Universitetit të Cambridge – është ‘këmbëngulje’ ose në gjuhën origjinale perseverance, kjo si pasojë e interesit global që është treguar për misionin kryesor të NASA-s në planetin Mars.

Sipas deklaratës për shtyp që shoqëroi lajmin, kjo fjalë është kërkuar 243,000 herë gjatë vitit 2021, nga njerëz në të gjithë botën.

Por, fjala ‘këmbëngulje’ u zgjodh nga Universiteti britanik për një sërë arsyesh.

Në njërën anë, ajo paraprihet nga fjala famëkeqe e vitit 2020 ‘karantinë’, e cila përqendroi vëmendjen e të gjithëve tek sfida e jashtëzakonshme globale me të cilën na u desh të përballeshim gjatë pandemisë.

Ndërkohë, fjala e këtij viti, përfaqëson emrin me të cilin është pagëzuar roboti i vogël rover, që zbarkoi i pari në planetin e kuq gjatë muajit shkurt për të kërkuar shenja jete.

“Njësoj siç kërkon këmbëngulje për të zbarkuar në Mars, këmbëngulje kërkohet edhe për t’u përballur me sfidat dhe përçarjet e krijuara si pasojë e COVID-19, katastrofave klimaterike, destabilitetit politik apo edhe konflikteve,” – u shpreh Wendalyn Nichols, drejtuesja i publikimeve në Universitetin Cambridge, duke shtuar se – “Ne e vlerësuam këtë lidhje dhe pikë të përbashkët dhe menduan ta ndanim atë me të gjithë botën.”

Pra, kalimi nga ‘karantina’ në ‘këmbëngulje’ duket si tranzicioni perfekt nga njëri vit në tjetrin, dhe duke pasur parasysh se lufta nuk ka mbaruar ende, na mbetet vetëm të shpresojmë se viti 2022, do të sjell me vete një fjalë krejtësisht të tijën, e cila do të mund të në nxjerrë fitimtarë ndaj këtyre sfidave të jashtëzakonshme me të cilat po përballemi.

Të Fundit