Valdrin Pjetri, drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Pronave në një intervistë për media, shpjegoi procedura që nga njohja te kompensimi i pronave, duke argumentuar dhe hapat që duhet të ndjekin qytetarë për të zgjidhur çështje problematike prej vitesh.
Një prej problematikave kryesore të evidentuara nga agjencia lidhet me ndryshimin e adresave të qytetarëve ndër vite, çka ka vështirësuar komunikimin me ta. Sipas Pjetrit, një pjesë e këtyre rasteve po zgjidhen përmes përditësimit të të dhënave.
Që prej nisjes së procesit, Drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Pjetri tha se agjencia ka trajtuar rreth 50 mijë dosje, ndërsa rreth 6 mijë të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.
Ai shtoi se agjencia po punon për përfundimin e dosjeve të prapambetura dhe se, në përputhje me kuadrin ligjor, procesi synohet të përmbyllet brenda vitit 2027.
“Problematika kryesore që kemi hasur është problemi me adresat pasi komunikimi me agjencinë ka nisur pas viteve ’90, dhe disa qytetarë kanë ndryshuar edhe vende të banimit, Por shoh që shumë subjekte po e përmirësojnë nëpërmjet agjencisë tonë.
Në agjencisë e trajtimit të pronave janë trajtuar rreth 50 mijë dosje nga hapja e komisionit deri në ditën që flasim. Janë edhe rreth 6 mijë dosje të mbetura që janë në proces shqyrtimi dhe brenda 2027 dhe sipas ligjit tonë organik ky proces do të përfundojë. Jemi në përpunim e sipër të dosje të prapambetura. Në nismën tonë 1800 dosje që ishin të patrajtuara nga muaji korrik ka nisur trajtimi dhe qytetarët janë njoftuar. Më kthim përgjigjet për një dosje vijon trajtimi”, nënvizoi ai.



