Biznesmeni Faruk Özer fshihet në Shqipëri/ Ministri i Brendshëm turk: Kemi neutralizuar zonën ku ndodhet, çështje kohe që të kapet

Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soyl ka deklaruar se policia ka bërë të mundur neutralizimin e zonës ku ndodhet themeluesi i kriptomonedhës “Thodex”, Faruk Fatih Özer.

“E dimë që është në Shqipëri. Megjithatë po mbajmë në kontakt edhe vendet e tjera. E dimë se ku është dhe do shkojmë aty. Është çështje kohe”, tha ministri i brendshëm turk.

Sipas medias turke,  ministri është shprehur se ka pasur zhvillime të rëndësishme dhe se vendndodhja e themeluesit të “Thodex” nuk ishte më sekret për Turqinë.

27-vjeçari Özer është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lyon pasi rezulton i dyshuar për mashtrim në shtetin turk nëpërmjet valutës elektronike bitcoin që kap vlerën rreth 2 miliardë dollarë, ndërkohë që me vete ka një hard disk me vlerën e 108 milionë dollarëve.

Sipas informacioneve të deritanishme, biznesmeni turk ka arritur në Rinas më 20 prill të këtij viti, ndërkohë që kanë dalë dhe pamje filmike nga momenti kur ai është akomoduar në një prej hoteleve të Tiranës në shoqërinë e një shqiptari I cili ka deklaruar se nuk e dinte se ai ishte në arrati.

Mediat turke bëjnë të ditur se biznesmeni turk po fshihet në Shqipëri nga mafia, duke e bërë më të vështirë edhe identifikimin e vendndodhjes së tij.

Deri tani në Turqi janë lëshuar mandate arresti për 82 persona nga Kryeprokuroria Publike e Anadollit dhe 6 janë të dyshuar, duke përfshirë vëllanë e të arratisurit,  Güven Özer dhe motrën e tij, Serap Özer.

Ditën e djeshme u arrestua edhe kunata e Ozer,  Zuhal Özer, por pas deklaratës së saj,  u la sërish e lirë.

Të Fundit