“Askush nuk është mbi ligjin”, Rama intervistë me Grenell, komenton vendimin për Berishën

Për herë të parë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka komentuar shpalljen non grata” në SHBA të ish-kryeministrit Berisha. Në një intervistë për median amerikane Newsmax, Rama deklaroi se askush nuk është mbi ligjin.

“Do të thosha se në njërën anë është pikëlluese që ta shohësh këtë realitet, por është sinjal që administratat amerikane vazhdojnë që të jenë zë i reformave në drejtësi. Për mua kjo ishte pak a shumë sikur njoftimi për mbarimin e tranzicionit dhe mbarimin e pandëshkueshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin”, u shpreh z. Rama.

Gjatë intervistës, kryeministri komentoi edhe vendimin e ministrave të jashtëm të BE për të shtyrjen konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Bashkimi Evropian ka dhënë vlerësimin dhe premtimin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësohen në BE. Në anën tjetër nuk ka vendim sepse Bashkimi Evropian është i bazuar në vendimmarrjen e të gjitha shteteve dhe pastaj kur një shtet nuk pajtohet gjithçka ndalohet”, deklaroi z. Rama.

Teksa foli për minishengenin, Rama falënderoi ish-të dërguarin e presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, me të cilin zhvilloi dhe intervistën.

“Së pari, më duhet ta përsëris që ju nuk jeni më në rolin e kontribuuesit të iniciativës së mini-shengenit për të cilin ju falënderoj për rolin tuaj. Në anën tjetër është një konflikt i pazgjidhur shkaku i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia. Por është e mundshme që të zhvillohet jetesa pa barriera mes njerëzve dhe mallrave”, përfundoi kryeministri i Shqipërisë.

Të Fundit