“Agasi mafiozi më i rrezikshëm i Evropës”, Berisha: Vlora Hyseni anëtare e poshtër e grupit të tij kriminal

Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar dy interpelanca urgjente me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe shqyrtimi i dy projektligjeve, përfshirë atë për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza.

Por, para nisjes së seancës, Partia Demokratike kërkoi ndryshimin e rendit të ditës, duke kërkuar që dy interpelancat të hiqen dhe në vend të tyre të zhvillohet një debat parlamentar me kryeministrin Edi Rama për situatën në SHISH. Kërkesa e opozitës vjen pas masës “arrest në shtëpi” të caktuar nga GJKKO ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

I pari që e mori fjalën në Kuvend ishte kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e quajti Hysenin “një anëtare të grupit kriminal të Ergys Agasit.”

Në fjalën e tij, Berisha ka sulmuar edhe kryeministrin Edi Rama për emërimin e Hysenit në krye të SHISH, duke pretenduar se ajo ka pasur një rol të dyfishtë dhe se ka bashkëpunuar me struktura kriminale. Ai e ka cilësuar seancën e sotme si “më të turpshmen” në historinë e Kuvendit.

Berisha: Kjo seancë do të hyjë në histori si seanca më e turpshme e mbledhur ndonjëherë. Sot parlamenti mblidhet si parlamenti i Ergys Agasit, si Parlamenti më i papërgjegjshëm në gjithë historinë kombëtare të një vendi. Sot për çdo qytetar shqiptar që i thotë sigurisë, siguri, çështja e të gjitha çështjeve është shembja totale e sigurisë së vendit pasi kryetarja e SHISH rezulton një anëtare e poshtër e grupit të stukturuar kriminal Agasi. Egys Agasi është mafiozi më i rrezikshëm i Evropës. Ai kontrollonte të gjitha kartelet e drogës, të gjithë internetin e territorit të vendit, të gjitha sekretet e këtij shteti dhe shërbimit informativ kombëtar.

Ai kishte fuqi të pakufizuar dhe këtë fuqi e kishte nga padrino i vendit. Rasti i Vlora Hysenit është i treti rast në botë. Emërimi i saj përbën aktin më të papërgjegjshëm ndaj sigurisë së vendit. Emërimi i saj ishte në mënyrë absolute për një rol të dyfishtë. E kam deklaruar në atë kohë, e deklaroj dhe sot. Ajo ishte një shërbëtore e Edi Ramës dhe Vuçiç. Ana më e zezë është se njeriu që kishte për detyrë sigurinë e vendit dhe të qytetarëve të këtij vendi bashkëpunonte me hanxharët e krimit, ishte anëtare e një organizate më të rrezikshme kriminale, ishte njeriu që lëshonte në duart e bandave çdo sekret të këtij shteti, ishte njeriu që me porosi të Ergys Agasit shkarkonte secilin prej jush.

Të Fundit