Peleshi: Bashkimi i Korçës me Maliqin krijon bashkinë më të madhe në vend për nga sipërfaqja

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka folur nga Korça për reformën administrative dhe ndryshimet që parashikon harta e re territoriale për këtë bashki.

Sipas Peleshit, bashkimi i bashkive Korçë dhe Maliq do të krijojë një njësi të re me sipërfaqe 1 462 km², duke e renditur atë të parën në Shqipëri për nga shtrirja territoriale.

Peleshi tha se bashkia e re do të ketë rreth 100 mijë banorë dhe se bashkimi do të mundësojë administrimin e një territori të gjerë bujqësor, ku përfshihet edhe fusha e Maliqit, e dyta më e madhe në vend.

“Sipas hartës së re, bashkia e Korçës bëhet bashkia më e madhe në Shqipëri për nga sipërfaqja, me 1 462 km². Pra, siç e dini, Korça dhe Maliqi, dy bashkitë, bashkohen në një bashki të madhe të vetme dhe kanë një sipërfaqe jo vetëm më të madhe, por të shkëputur me 200 km² më shumë nga bashkia pasuese, që është Elbasani. Sipërfaqja e madhe nuk është për shkak të numrit të madh të popullsisë. Popullsia e bashkisë së re është rreth 100 mijë banorë, por kjo vjen për shkak të fushës së madhe të Korçës dhe të Maliqit, që tani janë një fushë. E quani fusha e Maliqit më mirë, që të përkëdhelim pak edhe ata që ende e shikojnë me skepticizëm reformën. Unë jam i bindur që është një gjë shumë e mirë. Në fushën e bujqësisë bashkohen në një dhe kanë nën administrim, në kuptimin gjeografik, pothuajse të gjithë fushën e madhe të Maliqit, që është fusha e dytë më e madhe në Shqipëri”, u shpreh Peleshi.

Të Fundit