“Vlora ia ka fikur radarët shtetit”, Bardhi: Nëse urdhëroheni nga grupet kriminale, këtu nuk ka më shtet

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar situatën e krijuar pas arrestimoit të kreut të SHISH si një nga momentet më të vështira për Parlamentin dhe Republikën e Shqipërisë. Në fjalën e tij në seancën plenare, Bardhi ka akuzuar mazhorancën se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë politike dhe ka kërkuar praninë e kryeministrit Edi Rama në Kuvend për të dhënë shpjegime.

Bardhi ka përsëritur akuzat e opozitës për emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH, duke pretenduar se ajo ka vepruar në favor të grupeve kriminale. Ai ka deklaruar se nëse drejtues të institucioneve të sigurisë dhe qeverisë ndikohen apo urdhërohen nga grupe kriminale, atëherë, sipas tij, “nuk ka më shtet”, ndërsa e ka cilësuar situatën si pasojë të asaj që opozita e quan “narkoshtet”.

Bardhi: Ky është një nga momentet më të vështira qoftë për Parlamentin, qoftë për Republikën e Shqipërisë. Ju mundoheni që një nga çështjet më të rënda ta trajtoni duke ju mbrojur një e papërgjegjshme. Sot në vitin 2026 Shqipëria vend anëtar i NATO, vend kandidat për BE ….ne ju thamë që Vlora Hyseni është emërim i Ergys Agasit. Na thanë “nuk i bën Edi Rama këto”. Ku e keni Edi Ramën sot? Fshihet pas një të papërgjegjshmeje (ministrja Erjona Ismaili) që nuk di çfarë thotë. Një zyrtar i përgjegjshëm nuk mund të vijë këtu dhe të thotë që ne jemi më të mirët kur shefja e SHISH jo vetëm ndihmonte kreun e një organizate kriminale t’i arratisej drejtësisë, por i thoshte “thuaj çuanve të veprojnë lirshëm sot se unë për ty fik radarët e shtetit”, në fakt ia ka fikur radarët shtetit, ka fikur dhe radarët tuaj. Nëse shefin e shërbimit, drjetorin e përgjithshëm, kryeminsitrin e vendit e urdhërojnë grupet kriminale dhe grupet e trafikut të drogës këtu nuk ka më shtet. Ky është narkoshteti që keni ndërtuar ju.

Më herët, ministrja socialiste Erjona Ismaili, zhvendosi debatin te historia e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe periudha e drejtimit të tij nga qeveritë e mëparshme. Ismaili akuzoi  Partinë Demokratike dhe Sali Berishën për mënyrën se si është përdorur SHIK-u gjatë viteve ’90, duke rikujtuar episode që, sipas saj, kanë lënë gjurmë në historinë e institucioneve shqiptare.

 “SHISH-i sot është një institucion që prej viteve ’90 ka përfaqësuar rënien e shtetit. S’kanë si ta harrojnë shqiptarët SHIK-un, ku ju jeni kujdesur t’i lini memories institucionale fakte, urdhra, histori të shkruara me gjakun e atyre që me jetë vuajtën pushtetin tuaj të pakufishëm mbi çdo lloj pushteti, qofshin dhe të pavarura. SHIK-u i atëhershëm, i të gjithëpushtetshmi Sali Berisha, që përndiqte, përgjonte, vriste, si polici politike dhe që nuk jepte llogari askund. Si mund ta harrojnë shqiptarët SHIK-un?”, deklaroi ministrja.

Të Fundit