Gërmimet arkeologjike në fshatin Qesarat të Bashkisë Memaliaj kanë nxjerrë në dritë një tjetër mozaik të periudhës së antikitetit, duke përforcuar zbulimet e viteve të mëparshme dhe bindjen se kjo zonë përbën një pasuri të rëndësishme arkeologjike.
Gjatë punimeve të fundit, në rrënojat e një kompleksi të madh ndërtimi, që mendohet se i përket shekullit të IV-t dhe periudhës së Perandorisë Romake, arkeologët kanë zbuluar disa dysheme të dekoruara me motive gjeometrike, figura njerëzore, si dhe fragmente pikturash murale.
Zbulimet në këtë zonë nuk janë të reja. Që prej vitit 1936, në Qesarat janë evidentuar elementë të ndryshëm arkeologjikë, mes tyre furra pjekjeje, gjurmë ambientesh banimi, qeramika, skulptura dhe mozaikë.
Një prej mozaikëve u zbulua aksidentalisht në vitet ’80, gjatë hapjes së tokave bujqësore. Por ai u mbulua sërish dhe, për fat të keq, nuk mbeti asnjë dokumentim fotografik apo e dhënë e saktë mbi vendndodhjen e tij.
Sipas arkeologut Eduart Shehi, lugina e Vjosës është një pasuri e rrallë e vendit tonë, ndaj përballë këtij fakti merr një rëndësi shumë të madhe ideja se si mund të vazhdohet administrimi në këtë territor, për ta bërë këtë zonë të vizitueshme.
Për arkeologun italian Silvio Fiorrelli, të dhënat e deritanishme tregojnë se në këtë territor mund të kemi të bëjmë me një vendbanim romak me një shtrirje të konsiderueshme.
Gërmimet në Qesarat aktualisht janë përqendruar vetëm në një sektor, por zbulimet e viteve të mëparshme, të evidentuara në hapësira të ndryshme, tregojnë se shtrirja e këtij vendbanimi mund të jetë shumë më e madhe.
Vetë emri Qesarat mendohet se mund të lidhet me një toponim të hershëm të zonës, ndërsa sipërfaqja e mundshme e vendbanimit mbetet ende për t’u përcaktuar nga kërkimet arkeologjike.
Nën tokën e Qesaratit, sipas arkeologëve, mund të fshihet ende një pjesë e rëndësishme e historisë së kësaj zone, e cila kërkon gërmime, dokumentim dhe një projekt të qëndrueshëm për ruajtjen dhe kthimin e saj në një destinacion të vizitueshëm.



