Një 15-vjeçar është përballur me dhunë fizike dhe psikologjike nga katër persona të rritur në zonën e Plazhit në Durrës. Sipas denoncimit të babait, gjithçka nisi pas një konflikti për 100 lekë të reja, pasi pronari i një biznesi me lodra argëtuese për fëmijë, vajza, djali dhe dhëndri i tij dyshonin, se minoreni kishte marrë 100 lekë nga një prej lojërave.Pasi e kanë identifikuar nga kamerat e sigurisë, katër personat e kanë ndaluar 15-vjeçarin në shëtitore dhe e kanë cuar me forcë në breg të detit, ku për rreth 30 minuta kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. “Stop” tentoi të merrte versionin e administratorit të biznesit, Ilir Kadrimi, por ai iu shmang kamerës së emisionit. Ndërkohë, 15-vjeçari, viktimë e dhunës, rrëfen me detaje ngjarjen e mbrëmjes së qershorit. Sipas denoncuesit, Policia e Durrësit nuk e trajtoi me seriozitetin e duhur rastin, ndërsa nga katër personat e përfshirë, vetëm dy, janë proceduar.Një tjetër problematikë lidhet me kamerat e sigurisë, të cilat, janë marrë tre ditë pas ngjarjes. Po ashtu, dëshmia e minorenit është marrë pa praninë e psikologut. Prokurorja Albiona Papajani, në një komunikim telefonik, thotë, se masat lehtësuese ndaj dy të akuzuarve janë vendosur nga gjykata, ndërsa procedimin e vetëm dy prej katër personave, ia atribuon Policisë së Durrësit, e cila ka referuar në Prokurori materialet vetëm për dy persona.




