Një 26-vjeçar është arrestuar në Mamurras, pasi dyshohet se merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Operacioni antidrogë, i koduar “Target 4”, u finalizua pas dy muajsh hetime me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë.
Në pranga ka rënë Denis Shytaj, 26 vjeç, banues në Mamurras.
Sipas Policisë, gjatë hetimit, në një objekt të improvizuar në hyrje të qytetit, u gjetën të fshehura dhe dyshohet se të destinuara për shitje 194 doza Cannabis Sativa, si dhe 144 doza në trajtë “gelato” me përqindje të lartë THC-je.
Në të njëjtin ambient u gjetën edhe një sasi e lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një sasi kokaine dhe dy peshore elektronike.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjithashtu dy telefona celularë dhe një automjet.
Policia bën me dije se hetimet vijuan për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




