Rajmonda Doko, një grua nga Maliqi, përveç problemeve të shëndetit mendor, po përballet edhe me një tumor në gji, që, sipas familjarëve, i është përkeqësuar, shkak të vonesave në trajtim.Sipas motrës së saj, Irini Doko, gjithçka ka nisur me shfaqjen e një gjendre në gjoks. Familjarët thonë, se kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Maliq dhe më pas në Korçë, por referimi i pacientes drejt Tiranës, është vonuar.Për pasojë, plaga është zgjeruar dhe në të është konstatuar edhe prania e krimbave. Elvion Doko, nipi i pacientes, akuzon zinxhirin e mjekëve, duke pretenduar, se nëse do të ishte ndërhyrë në kohë, situata mund të ishte parandaluar. Rajmonda Doko ka përfunduar e shtruar në një spital psikiatrik në Elbasan. Por vetë mjeku psikiatër, thotë, se pacientja nuk duhej të ishte shtruar aty, si vendi kryesor i trajtimit.Ai shpjegon, se Rajmonda ka nevojë për asistencë të vazhdueshme, por psikiatria nuk është strukturë onkologjike dhe nuk ka pavijon për pacientë të shtruar për sëmundje tumorale.Nga ana tjetër, mjekja onkologe në Elbasan shprehet, se gjendja e Rajmondës është tashmë shumë e rënduar dhe aktualisht nuk ka kirurg, që ta marrë përsipër operacionin. Në këtë fazë, Rajmonda po merr antibiotikë, mjekim për plagën dhe serum me vitamina. Emisioni “Stop” tentoi të kontaktojë edhe mjekët e Spitalit Onkologjik në Tiranë. Bledi Kreka, mjeku, që e ka kuruar, kërkon të shohë kartelën e pacientes, për të dhënë informacion, ndërsa familjarët nuk e kanë në dispozicion këtë dokument.




