Rrjetet kryesore televizive në SHBA kanë pezulluar të hënën mbulimin e përbashkët të aktiviteteve të presidentit Donald Trump, pas vendimit të Shtëpisë së Bardhë për t’u ndaluar aksesin në ambientet e saj CNN, Politico dhe MS NOW.
Trump njoftoi të premten ndalimin e këtyre mediave, duke i akuzuar se publikojnë “fiksione ose gënjeshtra” për administratën e tij. Gazetarëve iu mohua hyrja në Shtëpinë e Bardhë të shtunën.
CNN, Politico dhe MS NOW kanë njoftuar ndërkohë se do të padisin administratën Trump, duke argumentuar se synojnë të mbrojnë parimin se qeveria nuk duhet të vendosë se çfarë raportojnë mediat.
Pas këtij zhvillimi, edhe disa media të tjera amerikane njoftuan se nuk do të marrin pjesë në mbulimin e aktiviteteve presidenciale. New York Times dhe Washington Post thanë se nuk do të ndajnë me mediat e tjera fotografi nga aktivitetet e Trump të hënën.
Si pasojë, nuk pati pamje televizive nga momenti kur Trump hipi në avionin presidencial Air Force One apo kur mbërriti në New York për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Shefi i zyrës së Fox News në Uashington, Bryan Boughton, i cili aktualisht ka një rol të përkohshëm në organizimin e ekipeve televizive që mbulojnë Shtëpinë e Bardhë, njoftoi se, duke nisur nga e hëna, grupi televiziv nuk do të mbulojë më aktivitetet e përcaktuara si pjesë e këtij sistemi.
Sipas mesazhit të tij, vendimi erdhi pasi Shtëpia e Bardhë pengoi CNN të përmbushte detyrat e saj.
Ndërkohë, tre mediat e ndaluara nga Shtëpia e Bardhë kanë depozituar të hënën një padi në Gjykatën Federale të Distriktit në Uashington.
Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë ka nisur kanalin e saj të transmetimit, Trump TV, i cili ofron një transmetim 24 orë në ditë me materiale dhe pamje të presidentit.



