Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka zhvilluar sot një takim me prindër pranë Qendrës Multifunksionale në Lezhë, ku ka sjellë në vëmendje masat e fundit të qeverisë për mbështetjen e fëmijëve me aftësi ndryshe dhe familjeve të tyre.
Koçiu bëri me dije se nga muaji gusht është dyfishuar pagesa për fëmijët me aftësi ndryshe, si dhe për fëmijët e verbër deri në moshën 18 vjeç. Ndërkohë, nga muaji tetor nis edhe pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara dhe ndihmësit personalë të tyre.
“Janë rreth 11 mijë fëmijë të cilët do të marrin pagesa të dyfishuara dhe nga fillimi i muajit tetor kemi mbi 14 mijë kujdestarë dhe ndihmës personalë, të cilëve do t’u paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, u shpreh Koçiu.
Zëvendëskryeministrja shtoi se kjo masë do t’u mundësojë kujdestarëve të kenë një pension të sigurt në të ardhmen, ndërsa do të përfitojnë gjithashtu nga skema e sigurimeve shëndetësore, përfshirë mbështetjen në rast të paaftësisë së përkohshme për punë, aksidenteve në punë dhe përfitime të tjera që ofron skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.



