Në “Stop” denoncohet sërish noterja Anila Haxhiu në Fier. Një çift pretendon, se i ka dhënë 3,200 euro për të mundësuar kalimin e pronësisë së një apartamenti në Golem, duke anashkaluar procedurën e rregullt ligjore dhe deklaratën e ish-bashkëshortes, e cila duhej të konfirmonte, se nuk kishte pretendime mbi pronën.Sipas çiftit, një pjesë e shumës do t’u jepej punonjësve të Kadastrës Fier, ndërsa pjesa tjetër, do të mbahej nga noterja Anila Haxhiu. Cifti pretendon, se u kërkuan edhe 800 euro për procedurë të përshpejtuar, me premtimin, se prona do të kalonte në emër të blerësve brenda ditës.“Stop” dokumenton momentin e dorëzimit të 3,200 eurove në zyrën e noteres. Por procedura zgjati rreth 3 muaj dhe nuk u realizua. Për këtë arsye, çifti kërkoi kthimin e parave.Përballja në zyrën e Haxhiut u tensionua. Cifti i përmendi noteres, se momenti i dorëzimit të 3 200 eurove ishte regjistruar, e në këtë moment, Anila Haxhiu shtyu dhe goditi bashkëshortin, e më pas edhe gruan e tij shtatzënë. Çifti thotë, se më pas noterja i mbajti për disa momente mbyllur në zyrë.Policia shoqëroi çiftin, për të bërë denoncimin, ndërsa noterja Anila Haxhiu nuk u shoqërua dhe qëndroi në zyrë.Pas incidentit, denoncuesit kontaktuan ish-bashkëshorten, e cila jeton jashtë Shqipërisë. Ajo autorizoi nënën e saj përmes një prokure, që të jepte deklaratën, se nuk kishte pretendime mbi apartamentin në Golem. Pas kësaj, procedura u zgjidh në rrugë ligjore, sërish në zyrën e Haxhiut.




