Kapet në Kamëz Hysni Patushi, 68 vjeç, i dyshuar për vrasjen me thikë të bashkëshortes së tij, Lumturie Patushi, 58 vjeçe.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:20 në rrugën “Panorama” në Tiranë, pas një konflikti në banesë. Sipas policisë, 68-vjeçari dyshohet se e ka goditur bashkëshorten me mjet prerës, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas largimit nga vendngjarja, Patushi u shpall në kërkim dhe policia ngriti pika kontrolli për kapjen e tij. Burime bëjnë me dije se ai është lokalizuar dhe kapur në Kamëz.
Në momentin e ngjarjes dyshohet se në banesë ka qenë edhe nipi 14-vjeçar i çiftit.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe shkaqeve të konfliktit që çoi në ngjarjen e rëndë.



