Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka mbërritur në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, pasi është thirrur në Komisionin Hetimor të Koncensioneve në Shëndetësi për të dëshmuar në lidhje me sterilizimin.
Mbledhja e ditës së djeshme u mbyll pa asnjë dëshmi nga ana e ish-ministrit. Beqaj kishte përgatitur një fjalim propagande, me foto të ndryshme në “Power point”, skenar i cili nuk u lejua nga drejtuesja e Komisionit, deputetja Albana Vokshi, duke sjellë një debat prej më shumë se 8 orësh dhe në fund seanca për pyetjen e tij është shtyrë për sot.
Beqaj pritet të japë dëshminë e tij lidhur me 2 koncesionet, atë të sterilizimit dhe të check up-it. Ai është nën hetim nga SPAK për dy dosje, të sterilizimit dhe një për abuzim me fondet e SASPAK.
Koncensioni 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë dollarë iu dha kompanisë ‘SaniService’, një bashkim kompanish ku Ilir Rrapaj me kompaninë e tij ‘Investital LLC’ është zotëruesi kryesor i aksioneve, krahas kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l” të Staccinit.