Nga Nju Jorku në Londër, duke kaluar përmes Milanos dhe Napolit, ideja e «shitjes së ajrit» ka pushtuar edhe liqenin e Komos. Lajmi për kanaçet e «Lake Como Air», që janë në shitje që nga fillimi i tetorit në rajonin e Komos – çmimi 9,90 euro, 11 dollarë – ka ngjallur kureshtje edhe përtej oqeanit: kanë shkruar për të CNN, «The Times» dhe media të tjera ndërkombëtare. Nga ana tjetër, liqeni i Komos është bërë tashmë një markë e njohur botërore për turizmin, i zgjedhur si destinacion pushimesh nga VIP-të dhe jo vetëm, që vijnë nga çdo cep i globit.
Ky suvenir i dedikuar turistëve është krijuar nga agjencia e komunikimit “Italy Srl”, promovuar edhe përmes faqes së internetit lakecomoair. Prodhuesit e kanaçes garantojnë se blerësi do të gjejë «ajër 100% autentik nga liqeni i Komos, i kapur në një kanaçe». Në thelb, turisti kthehet në shtëpi me një kanaçe ajri të liqenit, të cilën mund ta hapë më pas në shtëpi, ose ta mbajë si kujtim. Çdo kanaçe, sigurojnë prodhuesit, përmban «400 ml ajër të pastër nga liqeni më i bukur në botë». Suveniri është në shitje në Komo dhe në vendet kryesore turistike të rajonit. Kjo ide, e krijuar në Komo, vjen vetëm disa muaj pas lançimit të një produkti tjetër në shitje në faqet britanike për më shumë se një stërlinë, një detergent me aromën e «Lake Como Dreams». Në thelb, pastroni shtëpinë duke lënë në ajër aromën e ëndrrave të liqenit të Komos. Përkthyer nga Corriere della Sera