Policia e Shtetit ka reaguar pas aksidentit tragjik mëngjesin e sotëm në aksin Fier-Vlorë ku humbën jetën katër anëtarët e familjes Gushi.
Zëvendës-drejtori i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj shprehu ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e viktimave ndërsa tha se autoritetet po hetojnë me kujdes maksimal për nxjerrjen e përgjegjësive.
“Jemi sinqerisht të keqardhur që pavarësisht prezencës së shtuar të Policisë Rrugore në të gjitha akset kryesore të vendit, sidomos tani gjatë sezonit të verës, angazhimi ynë me burime njerëzore dhe mjete teknologjike, ndonjëherë nuk mundet të parandalojë tragjedi të tilla,” tha Dervishaj.
Deklarata e plotë:
Së pari, në emër të Policisë së Shtetit i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të personave që humbën jetën sot në aksidentin e ndodhur në aksin Fier – Vlorë.
Pavarësisht çdo rezultati të viteve të fundit, pavarësisht çdo trendi pozitiv në uljen e të vdekurve apo të plagosurve, aksidentet rrugore vijojnë të marrin jetë dhe për Policinë e Shtetit, çdo jetë e humbur në rrugë është shumë dhe do vijojë të konsiderohet shumë dhe e papranueshme, edhe sikur të ishte një jetë e vetme.
Jemi sinqerisht të keqardhur që pavarësisht prezencës së shtuar të Policisë Rrugore në të gjitha akset kryesore të vendit, sidomos tani gjatë sezonit të verës, angazhimi ynë me burime njerëzore dhe mjete teknologjike, ndonjëherë nuk mundet të parandalojë tragjedi të tilla.
Së dyti, dua të siguroj gjithë familjarët dhe të afërmit, si dhe opinionin publik, se aksidenti i sotëm po hetohet me kujdesin maksimal për të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë në këtë rast tragjik.
Së treti, dua të theksoj se angazhimi ynë maksimal në terren ka nevojë për mbështetje, për mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve. Aksidentet rrugore sot marrin katër herë më shumë jetë se ngjarjet kriminale në vend dhe besoj kjo është mjaftueshëm për këdo të kuptojë se sa e rëndësishme është sjellja e kujtdo, në rrugë.
Së fundmi, dua t’i siguroj të gjithë se Policia e Shtetit do të vijojë të përforcojë masat, jo në funksion të ndëshkimit si qëllim, por për të mos lejuar që drejtuesit e mjeteve t’i kthejnë këto të fundit në rrezik real për veten dhe qytetarët e tjerë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit, gjithashtu KUJDES, shpejtësia vret, përdorimi i alkoolit në drejtimit e mjetit vret, parakalimi i gabuar vret, mbajtja e rripit të sigurimit për vete dhe pasagjerët shpëton jetë.
Kontributi i të gjithë përdoruesve të rrugës, respektimi në maksimum i rregullave të qarkullimit nga ana e tyre, denoncimi i çdo shkeljeje rrugore të konstatuar, si dhe përkushtimi akoma më i madh i punonjësve të policisë, ku së fundmi kemi shtuar në disa akse rrugore nacionale disa radarë të tjerë, makina të pauniformuara, kamera dhe dronë, do sjellë medoemos parandalim të aksidenteve, rritje të parametrave të sigurisë në rrugë dhe ndëshkim të kujtdo që shkel këto rregulla.