“Pandemia s’ka mbaruar’’, kryeministri i Italisë:Vaksina kineze nuk është e përshtatshme për ta përballuar, Sputnik-V ndoshta s’do të miratohet kurrë, duhet reformë në EMA

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi ka paralajmëruar se pandemia nuk ka mbaruar ende teksa ka komentuar dhe vaksinat kineze e ruse.

Ai thotë se vaksinat kineze nuk janë të përshtatshme për të trajtuar pandeminë kurse Sputnik-V nuk e ka marrë ende miratimin e EMA-s dhe mbase nuk ka për ta marrë kurrë.

Po ashtu Draghi thekson se mbase ka ardhur koha për një reformë në EMA, autoriteti europian përgjegjës për verifikimin dhe certifikimin e vaksinave.

“Pandemia nuk ka mbaruar, jo nëse jemi akoma jashtë, ajo ende duhet të trajtohet me vendosmëri, vëmendje dhe vigjilencë. Na duhet një përforcim dhe mbase një reformë e EMA. Lidhur me vaksinat, mosmarrëveshja ishte që Sputnik nuk arriti të merrte miratimin e EMA dhe mbase nuk do ta bëjë kurrë . Vaksina kineze nuk është e përshtatshme për t’u marrë me pandeminë”,- tha Draghi.

 

Draghi zbulon se në Samitin e Brukselit ditët e fundit ka mbështetur një Samit me Rusinë pasi sipas tij shteti i drejtuar nga Putin është aktor i rëndësishëm ekonomik e politik dhe BE duhet të ketë një dialog aktiv me të.

 

“Rusia është një aktor i rëndësishëm në frontin ekonomik dhe politik, nuk mund të mos përfshihet , ne duhet të kemi një dialog aktiv. Në të njëjtën kohë duhet të jemi të sinqertë për atë që është e gabuar, sulmet kibernetike, spiunazhi, dezinformimi, respekti për njerëzit të drejtat. Ne kemi nevojë për bashkëpunim dhe sinqeritet. Përpjekja për një takim BE-Rusi duhej të bëhej. Unë përkraha nevojën për ta bërë këtë – shtoi ai – sepse në vend që të dyshojnë për fuqinë e tyre, vendet e BE duhet të krenohen me shfaqjen e forcës që japin kur flasin së bashku. Vendet Nordike, sepse janë më afër Rusisë, në thelb e kanë lënë mënjanë idenë për momentin,” shtoi Draghi.

Të Fundit