508 komunikime për dy muaj mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, SHISH nuk u vu në dijeni për “bashkëpunëtorin”

Qindra komunikime në Signal, telefonata dhe video-thirrje mes ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, dhe të arrestuarit Ergys Agasi janë bërë pjesë e dosjes hetimore të SPAK, e cila ngre pikëpyetje mbi versionin e dhënë nga Hyseni për marrëdhënien me Agasin.

Sipas dosjes, në automjetin në pronësi të Agasit u sekuestruan 9 printime me diagrame që paraqesin të dhëna të ngjashme me ato të prodhuara nga Shërbimi Informativ i Shtetit.

Hyseni ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Agasin dhe ka deklaruar se ai i kishte ofruar “bashkëpunim”, por ka mohuar takimet fizike dhe që ai të ketë siguruar informacione nga SHISH.

Prokuroria, ndërkohë, pretendon se nga komunikimet e administruara në dosje del një dinamikë tjetër, duke argumentuar se Agasi nuk ishte thjesht “bashkëpunëtor”, por personi që merrte dhe diktonte informacionin.

Vetëm për periudhën 28 qershor–26 gusht 2026, në telefonin e Agasit janë evidentuar gjithsej 508 forma komunikimi mes tij dhe Hysenit.

Pjesë nga dosja hetimore

Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar se më datë 20.07.2026, në ambientet e “Equos Resort”, Tiranë, u sekuestrua mjeti me targë GG444AA, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi. Brenda tij, me procesverbalin e datës 22.07.2026, u sekuestruan, ndër të tjera, 9 (nëntë) printime me letër formati të madh, në të cilat paraqiten diagrama me të dhëna të ngjashme me ato të prodhuara nga Shërbimi Informativ i Shtetit.

Gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit, vetë Ergys Agasi ka pranuar se mjeti ishte i tij dhe se i kishte lënë këto sende me qëllim që t’i gjenin organet e Prokurorisë së Posaçme.

Më datë 18.09.2026, e pyetur në cilësinë e personit me dijeni për veprën penale, shtetasja Vlora Hyseni ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Ergys Agasin deri në ditën e arrestimit të tij, ka deklaruar se ai i ka ofruar “bashkëpunim”, ka mohuar takime fizike apo faktin që Agasi të ketë siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit dhe është zotuar të kthejë përgjigje zyrtare, me shkresë të klasifikuar, mbi origjinën e diagrameve të sekuestruara.

Ashtu sikurse rezulton nga bisedat e mësipërme, shtetasi Ergys Agasi jo vetëm që nuk është në rolin e “bashkëpunëtorit”, por, në të kundërt, është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë.

Në këtë pikë duhet të theksohet se komunikimi i Kreut të SHISH, shtetases Vlora Hyseni, me personin nën hetim Ergys Agasi, deri në atë kohë dhe në kërkim nga drejtësia, është periodik (i përditshëm) dhe i tejzgjatur në kohë bisede, duke përfshirë jo vetëm telefonata të thjeshta (voice call), por edhe telefonata me video (video call) dhe dërgim e marrje fotosh e videosh, gjë që rrëzon alibinë e bashkëpunëtorit të pretenduar nga deklarimi i shtetases Hyseni.

Në total, për periudhën 28.06.2026 deri më 26.08.2026 (data e arrestimit të shtetasit Ergys Agasi), nëpërmjet aplikacionit “Signal”, janë regjistruar në total thirrje (voice and video call): Thirrje hyrëse Vlora-Ergys (incoming call) 70 thirrje, thirrje dalëse Ergys-Vlora (outgoing call) 17, të humbura (missed call) 28, thirrje pa përgjigje (unanswered calls – Ergys nuk i përgjigjet Vlorës) 25, thirrje dhe thirrje të refuzuara (declined calls).

Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi, janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi (calls, voice, video calls, messages, chat messages) ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipërcituar.

Për më tepër, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat, qoftë dhe paralele apo brenda institucionit.

Të Fundit