STOP – EMISIONI 164 (SEZONI 3) 19 prill 2018 Drejtori i hipotekës Pogradec nuk firmos asnjë shkresë: pres konfirmim!


Të hënën u raportua në media se disa qytetarë të Pogradecit sulmuan Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Pogradec. Në fakt edhe në redaksinë e emisionit “Stop” kanë mbërritur shumë ankesa në drejtim të drejtuesit të ZVRPP Pogradec, Majlind Shkirës, i cili sipas qytetarëve, nuk firmos asnjë dokument e procedurë.

“Problemi është që ne i kemi dorëzuar dokumentet në Hipotekë, te ALUIZNI. Nëqoftëse ka ndonjë parregullsi të më kthejë përgjigje me shkrim dhe unë të shkoj ta zgjidh në proces gjyqësor apo ku do të mund ta zgjidh problemin. Nuk kemi asnjë përgjigje, vetëm na gënjejnë: Ik sot e hajde nesër që të ta jap zyrtarisht. Por asgjë nuk po marrim!”, u shpreh e agravuar një qytetare e Pogradecit.

Sëbashku me gazetarin e emisionit “Stop” iu drejtuan sportelit të këtij institucioni, ku ende nuk kishte ardhur një përgjigje për dokumentet. Ajo i tha punonjësit se dokumenti ndodhej aty prej 5 muajsh, ndaj nëse nuk e bënte dot punën të largohej që të mos i pengonte më qytetarët.

Ndërsa përsa i përket kërkesës së gazetarit të emisionit “Stop” për të takuar drejtuesin ZVRPP Pogradec, punonjësi e drejtoi të plotësojë një shkresë. Pas kërkesës për të takuar Majlind Shkirën, ky i fundit tha se do t’i përgjigjej në mënyrë zyrtare, duke mos e ditur se për çfarë problematike është i drejtuar emisioni “Stop” këtij institucioni.

Disa banorë të qytetit të Pogradecit komunikuan me drejtuesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, biseda të cilat janë regjistruar dhe u transmetuan në emisionin “Stop”.

Situata 1
Qytetari 1 – Nuk je për atë punë ti, se të ishe për atë punë, kishe mbaruar punë. Ke tre muaj, për tre muaj duhet të kishe mbaruar të gjitha këto dosjet.
Majlind Shkira – Ok! Në bazë të aplikimit dhe të kërkesës që keni paraqitur tani, po ia jap specialistit, të nxjerrë dosjen, ta verifikojë dhe të kthejë përgjigje.

Qytetari 1 – Për sa kohë more zotëri? Se kur e bën kërkesën, më thoni për dy javë e ke në shtëpi. A është kështu ligji? A thotë ligji për dy javë e ke në shtëpi, për 20 ditë, sa është?
Majlind Shkira – Të lutem edhe një herë, ti këtu je në takim me mua…
Qytetari 1 – Po!
Majlind Shkira – Kur ti nuk gjen një mirëkuptim dhe një…
Qytetari 1 –Po nuk gjej se u lodha! Unë në sportel mbarova punë, tani problemi është te ty.

Situata 2
Qytetari 2 – Jepini ju drejtim dhe më thoni kur të vij ta marr unë certifikatën, kaq!
Majlind Shkira – Shumë shpejt! Shumë shpejt do të vijë me postë.
Qytetari 2 – Kur shumë shpejt, se ka që në Janar? Katër muaj, afatet nuk zbatohen, jo e jo!

Majlind Shkira – E di sa… sa ke ti, katër muaj? Unë kam praktika që kanë nga 22 vjet, si është ai me 22 vjet përpara teje?
Qytetari 2 – Ore s’më intereson mua se ça është ai, mua më intereson kjo: Është kaq, një muaj e dua që të më shërbejë.
Majlind Shkira – Meqënse nuk të intereson, do të shërbejmë brenda…shumë shpejt do të njoftojmë ne me postë.
Qytetari 2 – “E ka drejtori, për të firmosur”, urdhëro, s’e ke, hë pra? Ja kjo është përgjigja.
Majlind Shkira – Në rregull, a e deshe përgjigjen? Ja, e more përgjigjen që drejtori nuk e ka në tavolinë.

Situata 3
Qytetari 3 – Më vjen keq se specialisti më thotë që dosja është gati, e firmosur nga juristja, nga specialisti nga të tërë, më vjen keq! U bë tre muaj që nuk po e firmos, më thuaj ku të pengon puna? Që edhe unë të di që më mungon ky dokument.

Ky i fundit priti në një takim gazetarin e emisionit “Stop”, pasi sipas tij, ekziston dëshira për të dhënë zgjidhje. Por nga ana tjetër ai gjithmonë nxjerr pretendimin se pret një konfirmim.

Majlind Shkira – Hajde!
Gazetari – Ne nuk kemi një rast, kemi pa fund ankesa për procedura, që i ka kaluar afati, kthim përgjigjet që duhet të ishin kthyer. Praktika që gjenden të rregullta dhe që nuk firmosen. Në qoftë se një praktikë nuk gjendet e rregullt, ktheje mbrapsht për procedurë, më kupton Olsin?
Majlind Shkira – Për rastin në fjalë, e vetmja gjë që kam kërkuar ka qenë thjesht një konfirmim.
Gazetari – Rasti i dy zonjave që kanë kaq kohë…
Majlind Shkira – Për të kërkuar një konfirmim nuk besoj se është diçka e kundraligjshme për të bërë një punë të saktë, se po përpiqem për një punë të saktë.

Gazetari – Jam dakord! Por edhe puna e saktë ka një limit se ka kaq kohë që njerëzit rropaten.
Majlind Shkira – Për mua brenda afateve ligjore, me shpejtësi maksimale do t’i japim një zgjidhje.
Gazetari – Punë të mbarë!
Majlind Shkira – Faleminderit!

Pas komunikimit të gazetarit të emisionit “Stop” me drejtuesin e ZVRPP Pogradec, zonjat denoncuese mundën ta takonin këtë të fundit dhe përgjigjia që morën këtë herë ishte: “Presim konfirmim!”. Pra ajo çka u ngelet qytetarëve të Pogradecit është vetëm pritja….

Tahiri si Rama: nuk bir nëne e k…rve?!…

Parlamenti u mblodh sërish në seancën e rradhës, pas të cilës, ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, përdori shprehje të kryeministrit Edi Rama, për të thënë, se nuk pengohej dot nga askush të bënte drejtësi. Prokurorja e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani, deklaroi gjatë procesit të vetingut, se lapsuset që vihen re në deklarimet e saj, vijnë se ato i ka bërë vjehrra, kur vetë prokurorja ndodhej jashtë shtetit.

“Dental turk”, mbyllet laboratori i palicensuar e gjobitet me 50 mijë lekë.

Disa ditë më parë qytetari Kastriot Frangu denoncoi në emisionin “Stop” klinikën dentare “Dental Turk” që i kishte bërë një protezë problematike, për të cilën nuk i përgjigjej as për dëmshpërblim dhe as për ribërjen e saj. Kastrioti pagoi 1 milion e 200 mijë lekë për këtë protezë, pasi i kishin dhënë 5 vjet garanci.

Kryeinspektori i Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror, Eltar Deda, pasi ngriti grupin e ekspertëve për këtë rast, deklaroi edhe konkluzionin. Laboratori dentar i “Dental Turk” është i palicencuar, si dhe katër punonjës të tij janë po ashtu pa licencë.

“Rezultoi se klinika është me dokumentacionet e duhura, por laboratori dentar është i palicencuar, me mungesë dokumentacioni dhe ka mungesë qoftë në pajisjen e punonjësve me licencat profesionale, qoftë edhe në kushte të tjera që lejojnë për të funskionuar një laborator dentar”, u shpreh Deda.

Ndaj dhe ”Dental turk” u gjobit me 50 mijë lekë të reja gjobë dhe mbyllje të laboratorit deri në plotësimin e dokumentacionit përkatës për ushtrimin normal të aktivitetit.

Kastriot Frangu sëbashku me gazetaren e emisionit “Stop” iu drejtuan institucionit Avokati i Popullit, duke iu referuar “Kartës së të Drejtave të Pacientit”, për të bërë një ankimim.

Ndihmëskomisionerja e Avokatit të Popullit, Lindita Xhillari i premtoi Kastriot Frangut mbështetje ligjore falas dhe ndjekje të çështjes deri në fund.

“Pa dyshim që qytetari ka të gjithë të drejtën e tij që të kërkojë dëmshpërblimin monetar për atë dëm që i është shkaktuar shëndetit të tij. Kjo edhe në kuadër të të drejtës së tij për të jetuar shëndetshëm”, tha Xhillari.

Denoncuesi u shpreh se kjo ka qenë një sagë e vërtetë për të gjetur të drejtën e tij, por tanimë i ngelet të presë rezultatet e institucioneve për ta zgjidhur çështjen në Gjykatë, në mënyrë që të marrë dëmshpërblimin që i takon.

Të Fundit