Sekuestrohen 2000 litra naftë kontrabandë në Tiranë, i arrestuari përshtati ambientin e shtëpisë për ta fshehur

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas ushtronte aktivitet të paligjshëm në fushën e tregtimit të hidrokarbureve, në banesën e tij, në rrugën “Azem Galica”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Diesel 2”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi B. S., si dhe u procedua penalisht shtetasi G. P., të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi B. S. ushtronte aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të hidrokarbureve, në bashkëpunim me shtetasin G. P., që e kishte punësuar. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit B. S. u konstatua një ambient i përshtatur për vendosjen e një pompe karburanti dhe një depozite metalike, e cila ishte e mbushur me 2000 litra naftë, e dyshuar kontrabandë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Të Fundit