Ministria e Shëndetësisë dha ‘OK’, Leli refuzon: S’ka mbledhje fizikisht, diskutojmë online më 24 qershor

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka reaguar pas kërkesës së këshillit Bashkiak për mbledhje fizike, duke theksuar se një takim i tillë është në kundërshtim me protokollet e masave anti-Covid.

Leli u është përgjigjur këshilltarëve duke thënë se më 24 qershor do të jetë mbledhja e radhës e administratës së Bashkisë së Vlorës aktivitet që do të zhvillohet online për shkak të masave anti-Covid dhe i ka ftuar që të marrin pjesë.

“Jam para jush sipas kërkesë së Këshillit të Bashkisë Vlorë për të zhvilluar një mbledhje jashtë radhe.  Administrata dhe kryetari i bashkisë e vlerëson me përgjegjësi maksimale, morale dhe ligjore ushtrimin e funksioneve të përcaktuara të bashkisë Vlorë.

E konsiderojmë keqkuptim pretendimin se nga administrata e bashkisë është penguar qëllimisht zhvillimi jashtë radhe i mbledhjes së Këshillit të Bashkisë. Përsa i përket pretendimit të disa këshilltarëve për tejkalim të kompetencave nga ana e kryetarit në përcaktimin e datës së mbledhjes ky pretendim është i pabazuar. Për korrektesë dhe transparencë nga ana e administratës së bashkisë është vënë në dispozicion të Këshillit  një informacion në lidhje me problematikat sipas rendit të ditës”, ka thënë Leli.

 Ndërkohë gjatë ditës së sotme Ministria e Shëndetësisë sot ka dhënë ‘OK’ që të mbahen mbledhje fizikisht. Në përgjigjen e saj zv. ministrja Mira Rakacolli ka deklaruar:

“Përsa i përket Urdhrit të  Ministres së Shëndetësisë ‘Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo te hapura’ qëllimi ka qenë ndalimi i grumbullimeve të posaçme, që sikundër përmendet në urdhër lidhet me tubimet, konferencat, mbledhjet partiake, ceremonitë  festive etj. ku rreziku i transmetimit të virusit është shumë i lartë. Përsa më sipër ky urdhër nuk cenon aktivitetin e Këshillit Bashkiak, pasi zhvillimi i  mbledhjeve është vijimësi e punës së Këshillit Bashkiak, një praktikë që përdoret edhe nga institucione të tjera që punën e tyre e mbështesin mbi organe kolegjiale. Sot Vlora paraqet një situatë epidemiologjike të mirë, pa asnjë rast Covid. Sigurisht, këto mbledhje duhet të zhvillohen në përputhje me protokollet anti-Covid të miratuara si respektimi i distancës, mbajtja e maskës, kushtet higjenosanitare etj.”, shkruan Rakacolli në përgjigjen për Gjipalin.

Të Fundit