“Lufta”e vaksinave, Palestina kthen mbrapsht stokun e dozave nga Izraeli

Qeveria palestineze deklaroi se ka anuluar një marrëveshje që do t’i siguronte 1 milion vaksina anti-COVID nga Izraeli, pasi janë pranë datës së skadimit.

Kryeministri Mohammad Shtayyeh urdhëroi ministrin e Shëndetësisë që ta anulojë marrëveshjen, pasi stoku me vaksina nuk përmbushte kushtet e saj.

“Kryeministri Mohammad Shtayyeh udhëzoi ministrin e Shëndetësisë që të anulojë marrëveshjen me palën izraelite për transferimin e vaksinave dhe kthimin e atyre që u morën në Izrael. Kryeministri gjithashtu konfirmoi se qeveria refuzon të marrë vaksina që janë pranë skadimit”, u shpreh Ibrahim Melhem, zëdhënës i autoritetit palestinez.

Ndërkohë, palestinezët protestuan sërish pas lutjeve të së premtes në xhaminë Al Aksa, në Jeruzalem dhe u përleshën me policinë izraelite. Për pasojë 3 demonstrues mbetën të plagosur.Një seri përleshjesh më të dhunshme në të njëjtin kompleks fetar ndodhën në muajt prill dhe maj, që nxitën dhe luftën 11-ditore në Gaza.

Objekti i kultit është i shenjtë për islamin dhe po ashtu për hebrenjtë, që i referohen si Tempulli i Malit, pasi ishte vendi i tempujve biblikë.

Por, ai ka qenë shpeshherë skenë e dhunës izraelito-palestineze.

Këtë herë policia nuk hyri në kompleks dhe veproi më e moderuar, ndoshta nën urdhrat e qeverisë së re të Izraelit.

Të Fundit