Gjyqi për Ols Dadon, shtohet një tjetër palë në proces: Shoqata mbështet kërkesën e Veliajt

Procesit gjyqësor që lidhet me ligjshmërinë e emërimit të prokurorit të SPAK, Ols Dado, i është shtuar një zhvillim i ri.

Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” i është drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës me një kërkesë për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse në çështjen e iniciuar nga Erion Veliaj, i cili kërkon shpalljen e pavlefshme të emërimit të prokurorit Ols Dado.

Kërkesa, e cila po shqyrtohet nga gjyqtari Hazbi Balliu, argumenton se çështja nuk ka vetëm karakter individual, por prek drejtpërdrejt integritetin e sistemit të drejtësisë dhe mënyrën se si ushtrohen funksionet e prokurorisë në Shqipëri.

Sipas shoqatës, në rast se provohet se emërimi i Ols Dados është bërë në kundërshtim me ligjin, pasojat nuk do të kufizoheshin vetëm te statusi i tij personal, por mund të ndikonin edhe në vlefshmërinë e procedimeve ku ai ka ushtruar detyrën si prokuror.

Në argumentimin e saj, shoqata ndalet edhe te përfshirja e prokurorit në hetime me interes të lartë publik, përfshirë dosjen e “21 Janarit”, një nga çështjet më të debatuara në historinë e drejtësisë shqiptare. Sipas kërkesës, edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka evidentuar problematika lidhur me efektivitetin e hetimeve për këtë ngjarje.

Shoqata thekson se çdo dyshim mbi ligjshmërinë e statusit të një prokurori që ka trajtuar çështje të tilla merr një rëndësi të veçantë institucionale dhe publike.

Në përfundim, “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” kërkon pranimin në proces, duke argumentuar se mbrojtja e transparencës dhe e interesit publik justifikon përfshirjen e saj në një gjykim që mund të krijojë precedent për kontrollin gjyqësor të emërimeve në sistemin e drejtësisë.

Të Fundit