Debati për lojtarin më të mirë në histori të futbollit vazhdon të bëjë bujë. Të shumtë janë tifozët që më të mirin e zgjedhin mes Cristiano Ronaldo-s dhe Leo Messi-t, por ka edhe nga ata që zgjedhin mes brazilianit Pele dhe argjentinasit Diego Armando Maradona.
Në lidhje me këtë së fundmi ka folur edhe vetë Cristiano Ronaldo, cili për “La Sexta”, e konsideroi veten si më të mirin në historinë e futbollit.
Portugezi theksoi se është më i kompletuar nga të gjithë. Sulmuesi i Al Nassr, nuk ka ngurruar të krahasohet me Leo Messin, por edhe me legjendat si Pele dhe Maradona, duke pohuar se jo vetëm që nuk është inferior ndaj tyre, por është edhe më i mirë.
“Mendoj se jam lojtari më i kompletuar në historinë e futbollit. Ky është mendimi im. Mund të jetë çështje shije, por mendoj se unë jam më i miri. Unë bëj gjithçka në futboll. Jam i shpejtë, i fortë, kërcej shumë, gjuaj mirë me këmbën e majtë.
Shija është gjë tjetër, mund të preferoni Messin, Pele apo Maradonën, por të thuash që Ronaldo nuk është i kompletuar, është një gënjeshtër. Unë jam më i kompletuari. Nuk shoh njeri më të kompletuar se unë dhe këtë ua them me gjithë zemër.
💥 @Cristiano responde a LA pregunta de @EduAguirre7
“Yo creo que soy el mejor de la historia”
💬 “Sinceramente, yo no vi nadie mejor que yo” pic.twitter.com/15O9WHH5ye
— laSexta (@laSextaTV) February 3, 2025
Edhe nëse shënoj 920, 925 apo 930 gola, përsëri më i miri i historisë jam unë”, deklaroi CR7.
Ronaldo ka fituar “Topin e Artë” pesë herë, ndërsa rivali i tij Leo Messi e ka marrë këtë çmim tetë herë. Deklarata e portugezit pritet ta ndezë edhe më shumë debatin për më të mirin e historisë, pasi ndryshe nga Pele, Maradona dhe Messi, Ronaldo nuk ka arritur ta fitojë dot Botërorin, trofeun e vetëm që i mungon.