Strehëz për qentë endacakë, Veliaj: Qendra ofron kujdes mjekësor dhe vaksinim

Një strehëz veterinare që do t’iu vijë në ndihëm kafshëve të rrugës në kryeqytet është çelur në Tufinë.

E konceptuar si “shtëpizë e përhershme” për qentë endacakë, por edhe si qendër veterinare, aty do të kryhen proceset e sterilizimit, vaksinimit dhe matrikulimit.

“Vitet e fundit kemi trajtuar 6 mijë qen në situatë rruge, të cilët janë vaksinuar dhe kanë marrë shërbimin mjekësor, e më pas janë adoptuar. Sigurisht, tani që kemi një hapësirë më dinjitoze, ky proces ndodh me kushte shumë herë më të mira, por krijon edhe një mundësi për të ftuar njerëz për t’i parë, për t’i inkurajuar që të lidhen me botën e kafshëve, sidomos fëmijët”,  tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Kryebashkiaku cilësoi se ky projekt do ta bëjë Tiranën më të mirë.

“Të adoptojmë një kafshë është gjëja më e mirë që mund të bëjmë, që të mos kemi situata problematike dhe kini besim, vetëm besimi mes institucioneve, mes qytetarëve, mund të realizojë ato gjëra që më përpara kanë qenë të pamundura”, u shpreh Veliaj

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, do të trajnojë edhe studentë të kësaj shkolle si “kujdestarë” për qenushët.

Të Fundit