Foka murgeshë në Vlorë, specialistët gjurmojnë specien e rrallë

Fokat murgeshë mesdhetare, dikur të shumta në detin Jon dhe Adriatik, tani kanë mbetur në grupe të vogla e po gjenden gjithnjë e më pak në ujërat tona.

Prej dy vitesh një ekip biologësh detarë shqiptarë po skanojnë ujërat e kaltra të detit Jon për një shenjë të një prej gjitarëve detarë më të rrallë në botë. Fokat murg mesdhetare, të cilat dikur ishin të bollshme në këto ujëra, tani numërohen vetëm disa qindra në detin Mesdhe ndërsa prania e tyre është evidentuar edhe në parkun kombëtar detar të Karaburun-Sazanit.

“Për të kuptuar sa e rrezikuar është, mjafton të themi shifrën, pra sa është numri i saj në Detin Mesdhe, është 700, dhe të kuptosh që në Shqipëri në detin Adriatik dhe detin Jon ne arrijmë të kuptojmë që kemi një numër individësh. Akoma jemi në studim të popullatës dhe se si mbrohet është ajo që ne shpesh propozojmë shpalljen e zonave të mbrojtura siç është parku detar Karaburun-Sazan, ku aktivitetet e njeriut janë të rregulluara, jo të ndaluara. Peshkimi apo lëvizjet turistike janë ndër aktivitetet të cilat rregullohen nga administrata, e vetmja mbrojtje që mund t’ i bëjmë është e kësaj mënyre”, tha Nexhip Hysolakoj, ekspert i Administratës së Zonave të Mbrojtura.

Foka e Mesdheut është një prej specieve më të rëndësishme që gjendet në parkun kombëtar detar të Karaburun-Sazanit.

Rëndësia e saj është vlerësuar edhe nga Unioni Ndërkombëtar për Natyrën si një specie e rrezikuar, prandaj edhe masat për mbrojtjen, dhënien e mundësisë së zhvillimit të habitatit të saj për më tej, janë shumë të rëndësishme.

“Dokumentimet tona na tregojnë që numri maksimal i specieve të fokës së Mesdheut në parkun tonë është dy, dhe ky është një dokumentim të cilin ne e kemi bërë edhe nëpërmjet kamerave dhe nëpërmjet videove dhe fotove që kemi marrë nga peshkatarë apo dashamirës së natyrës. Është me vlerë për t’u përmendur që ka pasur edhe individë në një moshë të re, pra të vegjlit e fokës, që na jep edhe idenë se habitatet në parkun kombëtar detar të Karaburun-Sazanit mund të përdoren edhe për riprodhim”, tregon Laureta Sadikllari, biologe.

Për biologët rreziku kryesor që i kanoset fokës së Mesdheut është shkatërrimi i habitatit dhe ky është një presion që lidhet drejtpërdrejtë me turizmin si edhe me urbanizimin e vijës bregdetare, prandaj është shumë e rëndësishme që të merren masa të cilat rregullojnë aktivitetin njerëzor në zonat ku kjo specie është e pranishme.

“Për fatin tonë të mirë, Parku Kombëtar detar Karaburun-Sazanit vihet re që ka një ndërveprim pozitiv ndërmjet përdoruesve të parkut dhe fokës, pra janë vetë peshkatarët që janë bërë partner me ne për mbrojtjen e fokës së Mesdheut”, shprehet biologia.

Gjuetia e paligjshme dhe shkatërrimi i habitateve apo faktorë të tjerë i kanë detyruar fokat mesdhetare që të ndryshojë tërësisht sjelljen biologjike.

Të Fundit