Vladimir Putin ka hequr dorë nga kritikat ndaj kreut të shërbimeve inteligjente britanike MI6, duke thënë se shefi i shërbimeve sekrete angleze “ndoshta duhet të rishikojë vlerësimet e tij” ndaj Rusisë.
Presidenti tha se Richard Moore është “i ri” në pozicion, ndërsa më herët Moore e kishtë cilësuar Rusinë si një “fuqi që po bie ekonomikisht dhe demografikisht”.
Richard Moore u vendos në krye të MI6 në tetor, ndërsa gjatë një interviste të fundit me “Times Radio”, ai shprehu zhgënjim për sjelljen e Rusisë, duke përfshirë sulmin me noviçok në Salisbury, pretendimet se agjencia e inteligjencës ushtarake ruse qëndronte pas një shpërthimi në një fabrikë armësh Çeke në vitin 2014, dhe veprimet e vendit në Ukrainë.
“Kur kemi një model të sjelljes së pamatur, natyrisht atëherë shikojmë se çfarë po ndodh rreth Ukrainës dhe sigurisht që kjo na shqetëson. Kjo është arsyeja pse ne jemi koordinuar kaq ngushtë me aleatët tanë për t’u siguruar që do t’i dërgojmë përsëri mesazhe të forta Presidentit Putin. Është një vend jashtëzakonisht i sfiduar. Dhe në mënyrë të qartë trajtimi i Alexei Navalny siç pamë me mijëra protestues në rrugët e shumë qyteteve, tregon se ka një shprehje pakënaqësie ndaj zotit Putin”, u shpreh Moore.
I pyetur në lidhje me këto deklarata gjatë një konference shtypi, Putin u përgjigj: “Ju thatë që kreu i ri i MI6 i ka dhënë këto vlerësime, por ai është i ri dhe unë mendoj se do të marrë përvojë dhe ndoshta do të rishikojë vlerësimet e tij nëse Rusia është vërtet një fuqi në rënie. Dhe nëse është kështu atëherë pse të shqetësohet? Thjesht jeto jetën tënde dhe mos u përpiq të prishësh më tej marrëdhëniet ruso-britanike.”
Putin vuri në dukje që të dy vendet kishin parë rritje të tregtisë vitin e kaluar, duke shtuar: “Kështu që nëse nuk përpiqeni të ndërhyni në këtë proces, gjithçka do të jetë mirë”.
Marrëdhënia midis Londrës dhe Moskës ka qenë e tensionuar që nga sulmi me noviçok në 2018, i cili besohet të jetë kryer nga dy agjentë rusë që synuan të vrasin Sergei Skripal, një ish-spiun rus i kthyer në agjent të dyfishtë për MI6.
Skripal dhe vajza e tij Yulia mbijetuan, por Dawn Sturgess, 44 vjeçe vdiq pasi ajo spërkati veten me lëndën kimike duke menduar se ishte parfum, ndërsa partneri i saj u sëmur rëndë.
Sekretari i Jashtëm Britanik Dominic Raab kohët e fundit tha se Rusia luajti rol në devijimin e detyruar të një fluturimi të Ryanair për në Bjellorusi, që lejoi autoritetet atje të arrestonin një gazetar dhe të dashurën e tij.
Raab tha se ishte “shumë e vështirë të besohej” se incidenti kishte ndodhur “pa të paktën miratimin e autoriteteve në Moskë”