PD prezanton programin ekonomik, Basha: Nëse s’realizohet largohem nga detyra

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në prezantimin e programit politik sot tha se angazhimi i parë nëse partia e tij dhe koalicioni opozitar fiton zgjedhjet në 25 prill do të jetë krijimi i minimumi 110 mijë vendeve të reja të punës dhe rritja e pagës minimale në 360 mijë lekë të vjetra në muaj.

Kreu i opozitës tha gjithashtu se në programin ekonomik të PD është edhe heqja e taksës “Rama” për karburantet.

“Nga dita e parë e punës, angazhimi i parë i programit tonë është minimuni 110 mijë vende të reja pune për shqiptarët, përmes tërheqjes së investimeve të huaja dhe përmirësimit të klimës së biznesit.

Oferta jonë në të gjitha rrafshet që do përmirësojë klimën e biznesit dhe për investitorët e huaj.

Unë angazhohem të rris pagën minimale në 36 mijë lekë të reja në muaj.
Zotimi im i para dy viteve para bashkimit të sindikatave shqiptare është sot pjesë e planit tonë ekonomik.

Rritja e pagës do bëhet duke krijuar lehtësira për biznesin dhe duke e mbështetur atë që të rritet paga minimale dhe numri i të punësuarve.

Si një nga vendimet e para do të jetë anulimi i taksës Rama 24 lekë për litër për karburantin. Prej ditës së parë të qeverisë së re çdo litër karburant do t’u kushtoje 240 lekë më pak. Taksa Rama mbi karburantin do të eliminohet”, tha Basha.

Duke e konsideruar si “programi i punës”, Kryetari i PD-së preferoi të mos i cilësojë premtime, por “angazhime të padiskutueshme”, të cilat nëse nuk realizohen ai “do të largohet nga detyra”.

“Një kryeministër që nuk përmbush angazhimet që merr përsipër, duhet të largohet. Ndaj sot marr përsipër këtë barrë para jush,” – tha Basha duke theksuar se ka ardhur koha për të ndryshuar qeverisjen e vendit.

Të Fundit